Kur kanë mbetur më pak se 24 orë para mbajtjes së seancës ku do të shpallet verdikti ndaj katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka reaguar familjari i këtij të fundit.
Arian Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, ka thënë se Kosova është para fatit final.
“Kosova para fatit final të një pjese të rëndësishme të historisë së saj të lavdishme. Vetëm edhe një ditë na ndan nga aktgjykimi final. Të shpresojmë që historia e popullit tonë të ruhet ashtu siç e njeh bota dhe siç e ka përjetuar një popull i tërë. Lufta jonë për liri dhe barazi ishte një luftë e drejtë, e lindur nga vuajtjet dhe sakrificat e popullit tonë. Ajo nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me agresionin serb. Ne ishim viktimat. Ne ishim ata që kërkuam lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për të jetuar të lirë”, ka shkruar ai.
“Sot, me shpresë dhe besim, presim aktgjykimin. Le të mbetet e vërteta e historisë sonë e paprekur“, shtoi ai.
