Lajme

Nipi plagosi axhën në Fushë-Kosovë: I dyshuari ende në arrati, konflikti dyshohet se ndodhi për shkaqe pronësore

Të shtëna me armë u dëgjuan të mërkurën mbrëma në fshatin Dobrevë të Fushë-Kosovës, ku një person u plagos nga nipi i tij.

Sipas policisë, incidenti ndodhi rreth orës 20:38, teksa shkak i të shtënave dyshohet të ketë qenë nja mosmarrëveshje ndërmjet palëve.

“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë e pistoletës. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, Prishtinë, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati” kishte deklaruar policia.

Burime të medias pohuan se i dyshuari në fjalë është Fidan Gjyrevci.

Detaje të reja janë zbardhur rreth rastit, përfshirë dhe motivet e konfliktit.

Sipas burimeve, nipi kishte sulmuar edhe xhaxhain tjetër të tij, pak ditë para se të plagoste viktimën.

Gjyrevci kishte hyrë me dhunë në lokalin e xhaxhait, duke e kërcënuar këtë të fundit me sëpatë në dorë.

Pak ditë më vonë, xhaxhai i të dyshuarit erdhi nga Belgjika për pushime në Kosovë. Ai ishte duke qëndruar në oborrin e shtëpisë në momentin kur u plagos nga nipi.

I gjithë rasti dyshohet të ketë ndodhur për arsye pronësore.

Burimet pohojnë se i dyshuari, që ende gjendet në arrati, kishte shkaktuar telashe jo pak herë me banorët e fshatit.

Të Ngjashme