Ka nisur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë rigjykimi i Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e partneres së tij, Maria Clara Urdangaray.
Çështja është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila ka aprovuar si të bazuar ankesën e mbrojtjes së Nikës dhe ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë.
Vendimi i Apelit është përpiluar më 30 korrik 2026, ndërsa është bërë publik më 7 gusht.
Më 19 shkurt 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur Nikën fajtor për veprën penale të “vrasjes së rëndë” dhe e kishte dënuar me 18 vjet burgim.
Sipas vendimit të Apelit, ankesa e mbrojtësit të Nikës, avokatit Tomë Gashi, është aprovuar si e bazuar, ndërsa aktgjykimi i Departamentit për Krime të Rënda, i 19 shkurtit, është anuluar dhe çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.
Ndërkaq, ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar lidhur me vendimin për dënimin, sipas raportimeve që kanë publikuar pjesë të vendimit të Apelit, janë konsideruar për momentin të parëndësishme për shqyrtim.
Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me Maria Clara Urdangaray, kishte ushtruar dhunë ndaj saj fillimisht në parkingun e hotelit “Sonoma” në Fushë Kosovë dhe më pas, sipas aktakuzës, kishte vazhduar përleshjen në dhomën e hotelit.
Prokuroria pretendon se Urdangaray ishte shtyrë dhe goditur deri në cep të dhomës, ku nuk kishte mundësi të largohej, dhe se më pas ishte nxjerrë korniza e dritares, duke bërë që ajo të binte nga kati i gjashtë.
Maria Clara Urdangaray kishte pësuar lëndime të rënda nga rënia dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
