Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë sot procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit, pas përfundimit të numërimit të votave për subjektet politike dhe dorëzimit të materialeve zgjedhore.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se sot në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
Sipas tij, para nisjes së numërimit do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime.
“Sot në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) do të fillojë procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Paraprakisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë një konferencë për media gjatë pasdites.
“Për fillimin e verfikimit/numërimit në të gjitha komunat dhe për të njoftuar për aktivitetet e KQZ-së pas ditës së zgjedhjeve, do të mbajmë konferencë për media në orën 16:30, në QKN ‘1 Tetori’ në Prishtinë”, ka thënë Elezi.
Sipas tij, procesi i numërimit të votave të subjekteve politike në të gjitha vendvotimet është përmbyllur të dielën në mbrëmje, më 7 qershor, ndërsa të gjitha materialet zgjedhore tashmë janë dorëzuar në Qendrat Komunale të Numërimit, ku do të vazhdojnë procedurat e verifikimit dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë.
