Lajme

Nis zbatimi i amnistisë penale në Shqipëri,  541 të burgosur lënë qelitë

Ka nisur këtë të mërkurë, 15 korrik, zbatimi i ligjit për amnistinë penale, nga i cili përfitojnë gjithsej 6000 persona, nga ku 1335 janë përfitues të drejtpërdrejtë të ligjit. Ndërkohë, 869 të dënuar përfitojnë ulje dënimi, 2163 persona shuarje të shërbimit të provës dhe 2914 të tjerë ulje të tij.

Ditën e sotme do të lënë burgun 541 të burgosur, ku 466 kanë përfituar liri të menjëhershme nga amnistia, ndërsa pjesa tjetër ka përfituar lirinë nga ulja e dënimit.

Edhe personat me Shërbim Prove kanë përfituar nga amnistia penale, ku 2163 personave i është shuar shërbimi i provës dhe 2914 të tjerë kanë përfituar ulje të shërbimit të provës.

Zbatimi i amnistisë penale pritet të sjellë uljen e ngarkesës në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe të krijojë kushte më të mira për trajtimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar.

Sipas të dhënave nga institucionet penitenciare, numri më i lartë i të liruarve është në Lushnjë me 127 persona, pasuar nga Fieri me 104 të liruar. Në Reç janë liruar 101 persona, në Rrogozhinë 94, në Korçë 60 dhe në Tiranë 6 të dënuar.

Mes të liruarve janë edhe 11 gra dhe 1 i mitur, ndërsa 8 gra dhe 1 i mitur përfitojnë ulje dënimi.

Nga zbatimi i amnistisë penale kanë përfituar edhe disa emra si Rozeta Dobi, ish-sanitarja e Alda Klosit, e dënuar për vjedhjen e 500 mijë eurove, së bashku me Erisa Feron, ish-punonjësen e AKSHI-t të dënuar pasi u kap me 58 kilogramë kanabis, dhe Marsela Pushanin, e dënuar për vrasjen e motrës së saj. Nga qelia ka dalë gjithashtu Florian Përvathi, i dënuar për vrasjen e Lek Legjonajt, si dhe Ariel Rraja nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Ligji përfshin të dënuarit me vendime të formës së prerë deri më 31 maj 2026 dhe favorizon, mes të tjerëve, burrat e dënuar deri në 3 vite burg, gratë deri në 4 vite, të moshuarit dhe personat që kanë qenë të mitur në momentin e kryerjes së veprës penale.

Nga përfitimi përjashtohen personat e hetuar nga SPAK dhe çështjet që shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO)./rtsh.al/

Të Ngjashme