Një person ka vdekur, 25 janë të zhdukur dhe 51 persona janë shpëtuar pasi një varkë që transportonte emigrantë u fundos në një ishull grek pranë Kretës, sipas rojes bregdetare të vendit.
“Pesëdhjetë e një persona u shpëtuan nga dy anije që ndodheshin në zonë”, tha të hënën një zëdhënës i rojes bregdetare.
Ai tha se të mbijetuarit kishin raportuar se 77 persona ishin në bord kur varka u fundos pranë ishullit të Gavdos.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit ishin në vazhdim, me katër anije, varka, avionë të Frontex dhe një helikopter të rojes bregdetare që vepronin në zonë, raportoi transmetuesi publik i Greqisë ERT News.
51 personat e shpëtuar do të silleshin në Kretë, “ku do të ndiqen procedurat e përcaktuara”, raportoi ERT.
Pas mbërritjes në Kretë, migrantët pa dokumente në përgjithësi përballen me arrestim të menjëhershëm dhe izolim të përkohshëm përpara se të transferohen në kampe të mbyllura paraburgimi në Greqinë kontinentale. Sipas ligjit grek, individët i nënshtrohen paraburgimit të zgjatur administrativ, dënimeve të rënda dhe deportimit të përshpejtuar.
Erërat e forta që fryjnë nëpër zonë kanë penguar operacionin e kërkimit, tha ERT.
