Njoftim shqetësues për vënie bombe, alarm i njëkohshëm në disa qytete të Shqipërisë
Policia e Shtetit sapo ka konfirmuar se mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Raportohet se ndër institucionet që kanë marrë mesazhin kërcënues janë SPAK, GJKKO, ISSH, AIDA dhe institucione të tjera në disa qytete të vendit.
Në mesazhin kërcënues njoftohet se në ndërtesa janë vendosur bomba dhe se ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Mesazhi përmban gjithashtu kërcënime të rënda ndaj punonjësve të institucioneve.
Për shkak të natyrës së kërcënimit, situata po trajtohet me masa të plota sigurie, ndërsa pritet verifikimi nga strukturat përgjegjëse nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë, tha Policia e Shtetit.
Pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.
