Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka shkaktuar reagime me një deklaratë skandaloze të bërë në një intervistë për median serbe.
“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.”
Një deklaratë e tillë është dënuar edhe nga akterë politikë të Kosovës, por edhe nga Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, tha Hipper.
Kuçi: Nga llogaritja e pushkatimeve te justifikimi i spastrimit etnik
Eksperti i sigurisë, Gurakuç Kuçi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e fundit të Vojislav Sheshelit dhe ministres serbe Snezhana Paunoviq dëshmojnë se mendësia politike që prodhoi krimet e viteve ’90 vazhdon të jetë e pranishme në Serbi.

Gurakuç Kuçi
Sipas Kuçit, këto deklarata relativizojnë krimet e luftës dhe spastrimin etnik, ndërsa pasqyrojnë, sipas tij, “fytyrën e vërtetë të regjimit të Vuçiqit”.
“Brenda pak ditësh, dy deklarata nga Serbia na treguan se sa pak ka ndryshuar mendësia politike që prodhoi krimet e viteve ’90.
Fillimisht, Vojislav Shesheli foli për ekzekutimet në Srebrenicë sikur të ishin një operacion matematikor. Ai llogariste sa njerëz mund të pushkatoheshin nga shtatë persona brenda disa orëve dhe më pas tha: “Ju që nuk keni pushkatuar kurrë askënd, nuk e dini se si është.”
Pak ditë më vonë, ministrja serbe Snezhana Paunoviq deklaroi se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Në të njëjtën intervistë, UÇK-në e cilësoi si “guerilë të trajnuar kasapësh”, ndërsa hyrjen e NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë e quajti “okupim”.
Këto deklarata janë senzacioni i fytyrës së vërtetë të regjimit të Vuçiqit që e thotë me gojnë e të tjerëve.
Shesheli racionalizon mënyrën se si janë kryer ekzekutimet. Paunoviq racionalizon atë që, sipas saj, shteti serb duhej të kishte bërë me shqiptarët. I pari e zvogëlon krimin përmes llogaritjeve teknike. E dyta e paraqet spastrimin etnik si një alternativë strategjike që Millosheviqi nuk e realizoi deri në fund.
Në të dyja rastet, viktima zhduket si qenie njerëzore. Në vend të saj mbeten numrat, kapaciteti i pushkatimit, “terroristët”, “kasapët” dhe popullsia që duhej larguar”, u shpreh Kuçi.
Kuçi shtoi se, sipas tij, bëhet fjalë për të njëjtën ideologji që mohon gjenocidin në Srebrenicë, relativizon masakrën e Reçakut dhe justifikon spastrimin etnik.
Ai vlerësoi se shqetësuese është fakti që deklarata të tilla nuk vijnë më vetëm nga figura radikale, por edhe nga përfaqësues të institucioneve shtetërore serbe.
“Kjo është e njëjta ideologji që mohon gjenocidin në Srebrenicë, relativizon masakrën e Raçakut, kriminalizon rezistencën shqiptare dhe e paraqet ndërhyrjen e NATO-s si agresion ndaj Serbisë.
Dallimi është se Shesheli është një kriminel lufte i dënuar, ndërsa Paunoviq është ministre në detyrë.
Pikërisht këtu qëndron rreziku. Gjuha që dikur vinte nga strukturat radikale, sot vazhdohet të artikulohet nga brenda institucioneve shtetërore. Kur ekzekutimet racionalizohen dhe spastrimi etnik justifikohet, nuk kemi të bëjmë vetëm me mohim të së kaluarës.
Kemi të bëjmë me ruajtjen e klimës morale dhe politike që mundëson përsëritjen e saj” – deklaroi ai.
Dashevci: Mesazhi që dërgon Beogradi me deklarata që lavdërojnë politikat e viteve ’90,tregon mendësinë e tyre të vjetër kundrejt Kosovës

Arben Dashevci
Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Arben Dashevci tha se deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviq është e papranueshme dhe, sipas tij, pasqyron vazhdimësinë e qasjes së Beogradit ndaj Kosovës.
Ai për “Bota sot” vlerësoi se deklarata nxit urrejtje dhe glorifikon politikat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, duke dëshmuar, sipas tij, se mendësia e viteve ’90 vazhdon të jetë e pranishme në Serbi.
“Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ka shkaktuar reagime me një deklaratë skandaloze të përsëritshme sepse nuk është hera e parë as nga ajo por as nga establishmenti i tyre atje.
Kanë një qasje krejtësisht negative dhe absolutisht të pa pranueshme për ne si shtet dhe shtetas të Kosovës, një lloj i mohimit të eksistencës tonë mendoj unë, duke mos u mjaftuar me atë luftë të përgjakshme me aq shumë shkatërrime dhe viktima nga pushteti i kasapit të ballkanit Millosheviç.
Ajo thotë “për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.”
Mesazhi që dërgon Beogradi me deklarata që lavdërojnë politikat e viteve ’90,tregon mendësinë e tyre të vjetër kundrejt Kosovës.
Dhe kjo deklaratë është nxitje e urrejtjes dhe glorifikim të politikave të Millosheviqit, ku ky njihet si kasap i ballkanit dhe i burgosur nga Haga për dëmet që i ka shkaktuar në të gjitha vendet e ish Jugosllavisë së atëherëshme”, theksoi ai.
Në fund, Dashevci tha se rikthimi i narrativave për luftën dhe spastrimin etnik krijon pasiguri dhe është i papranueshëm për një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe diplomacisë së Kosovës të reagojnë ndaj deklaratave të tilla.
“Fatkeqësisht po rikthehen narrativat e luftës dhe spastrimit etnik në diskursin politik serb, si plan i tyre i kahmotshëm mendoj unë, plan i dështuar i botës serbe, mendësi e vjetër e viteve 90-ta, një urrejtje e paparë dhe që duhet reaguar në instancat ndërkombëtare, këtë duhet ta bëjë diplomacia jonë mendoj unë, sepse kjo qasje është e ultë nga ana e këtij establishmenti atje.
Ata nuk po munden ta pranojnë realitetin dhe po shfaqin urrejtje, kjo krijon pasiguri mendoj unë dhe reagimi i bashkësisë ndërkombëtare kundrejt kësaj narative të kontaminuar duhet të jetë i ashpër.
Të synosh të anëtarësohesh në BE dhe të kesh këso deklarata në vitin 2026 është e pa pranueshme,andaj shpresoj që bashkësia ndërkombëtare duhet të reagoj” – përfundoi ai për gazetën.
