Aktuale

“Nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, mund të kisha shkuar në Dubai, por…” – Çfarë shkruan media franceze për Ermal Beqirin

Nga Paris Normandie/ “Ti nuk na merr kurrë në telefon!”, është një nga ato qortime që pothuajse çdo fëmijë e ka dëgjuar nga nëna, edhe kur e ka telefonuar vetëm një ditë më parë. Më 25 korrik, 44-vjeçari shqiptar Ermal Beqiri vendosi të telefononte nënën e tij, por telefonata do të pasohej nga një seri ngjarjesh të pazakonta, që do ta çonin atë pas hekurave në Francë.

Ermal Beqiri u arrestua në Francë pasi avioni i tij fluturoi mbi centralin bërthamor të Penly, në Seine-Maritime, mes Dieppe dhe Le Tréport, një zonë e konsideruar tejet e ndjeshme. Nuk dihet nëse bëhej fjalë për një gabim në drejtim apo pakujdesi.

Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh, një shumë që për këtë person, të përshkruar si milioner, konsiderohet më shumë një episod i parëndësishëm. Por çështja nuk përfundoi këtu.

Edhe pse pritej që të lirohej pas përfundimit të kësaj procedure, Beqiri vijon të qëndrojë në burgun e Beauvais, pasi autoritetet shqiptare i kanë dërguar Francës një kërkesë për ekstradimin e tij.

Biznesmeni shqiptar është shpallur në kërkim në Shqipëri për disa akuza që lidhen me mashtrim dhe grupi i strukturuar kriminal. Sipas autoriteteve shqiptare, ai dyshohet se ka pasur rol në një skandal të gjerë korrupsioni të lidhur me tendera të manipuluar, me vlera që arrijnë në miliona euro, thuhet në artikullin e mediave franceze.

SPAK-u ka bërë të ditur se hetimet e kryera në bashkëpunim me autoritetet franceze kanë çuar në identifikimin e disa pasurive që dyshohet se kanë origjinë kriminale dhe që lidhen me Beqirin.

Mes tyre përmenden llogari bankare me një vlerë totale prej më shumë se 2 milionë eurosh, dy apartamente, një avion turistik dhe automjete.

Autoritetet shqiptare kanë identifikuar gjithashtu një kështjellë në departamentin Oise, në veri të Francës, me një vlerë të përllogaritur rreth 2.6 milionë euro. Sipas mediave shqiptare, bëhet fjalë për kështjellën Auteuil, në Berneuil-en-Bray, në jug të Beauvais.

Ermal Beqiri nuk ishte një emër i panjohur në Shqipëri. Inxhinier i sistemeve të informacionit dhe i formuar në Francë, ai ka mbajtur poste të rëndësishme në institucione publike dhe është prezantuar si ekspert i pavarur, veçanërisht në fushën e luftës kundër krimit kibernetik.

Në vitin 2021, ai bleu kompaninë Soft & Solution, të cilën më pas e zhvilloi në tregun shqiptar të teknologjisë së informacionit.

Në profilin e tij në LinkedIn, Beqiri ka publikuar edhe një fotografi me presidentin francez Emmanuel Macron, e cila besohet se është realizuar në maj të vitit 2025, gjatë vizitës zyrtare të Macron në Shqipëri.

Prej rreth një muaji, biznesmeni shqiptar ndodhet në burgun e Beauvais. Më 20 gusht, ai kërkoi lirimin përpara dhomës së hetimit të Gjykatës së Apelit të Amiens.

Avokati i tij pretendoi se klienti i tij po mbahej në një “ndalim të paligjshëm”. Sipas mbrojtjes, Beqiri kishte mësuar nga mediat shqiptare se ishte në kërkim dhe kishte njoftuar vetë autoritetet franceze.

“Ai u vu në dispozicion të autoriteteve, dha adresën e tij. Si mund të flitet për një ‘person të kërkuar që është arratisur’?”, ka deklaruar avokati.

Prokuroria kundërshtoi lirimin, duke argumentuar se pasuria e Beqirit dhe licenca e pilotit do t’i mundësonin atij të largohej shpejt nga territori francez dhe t’u shmangej autoriteteve. Në seancë, Beqiri foli i fundit.

“Kam ardhur në Francë në moshën 16-vjeçare dhe këtu kam familjen time të dytë. Po, lëviz shumë, në Turqi, Slloveni, Francë… Mund të kisha shkuar kudo, edhe në Dubai, por unë e dua Francën. Edhe pse nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur, as vendin më të mirë për taksat…”, deklaroi ai.

Gjykata e Apelit në Amiens ka vendosur që Ermal Beqiri të mbetet në paraburgim, ndërsa procedura për kërkesën e ekstradimit drejt Shqipërisë vijon.

Të Ngjashme