Transport i organizuar nga qytete dhe vendbanime të ndryshme të Kosovës do të jetë në dispozicion për qytetarët që duan të marrin pjesë në “Marshin për Liri”, i cili mbahet më dymbëdhjetë shtator në Prishtinë.
Organizatorët kanë bërë të ditur se autobusët do të nisen nga disa komuna të Kosovës, ndërsa për secilën prej tyre janë përcaktuar oraret dhe pikat e nisjes.
Marshi do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe do të nisë në orën14:00.
Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit së bashku me familjarë, miq dhe bashkëqytetarë.
“Kosova po pret. Më dymbëdhjetë shtator, të gjithë në Prishtinë. Për lirinë. Për çlirimtarët. Për UÇK-në”, thuhet në njoftim.
“Marshi për Liri” organizohet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
