Lajme

Pacolli pas arrestimit të 9 personave në Zubin Potok: Drejtësia nuk ka afat

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka reaguar pas arrestimit të nëntë personave në Zubin Potok, të dyshuar për krime lufte ndaj popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

Pacolli ka thënë se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre nuk ka afat dhe se përgjegjësit duhet të përballen me ligjin, pavarësisht kohës së kaluar

Ajo ka vlerësuar se me Qeverinë Kurti institucionet e Kosovës kanë shtrirë autoritetin edhe në veri, duke theksuar se sot policia vepron dhe krimi po goditet.

Postimi i plotë:

Sot u zgjuam me një lajm të mirë se në Zubin Potok janë arrestuar 9 persona të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Për viktimat dhe familjet e tyre, drejtësia nuk ka afat. Krimet e luftës nuk harrohen dhe përgjegjësit duhet të përballen me ligjin, pa marrë parasysh se ku ndodhen dhe sa kohë ka kaluar.

U desh të vinte Vetëvendosje në pushtet që shteti i Kosovës ta shtrinte dorën e ligjit edhe aty ku për vite me radhë kriminelët mendonin se ishin të paprekshëm.

Për vite, veriu u trajtua si një zonë ku ligji i Republikës së Kosovës nuk vlente. Kriminelët vepronin, institucionet heshtnin dhe pushtetet e kaluara toleronin një realitet që e dëmtonte shtetin.

Me Qeverinë Kurti kjo ndryshoi.

Sot institucionet e Republikës së Kosovës kanë autoritet në veri, policia vepron, krimi goditet dhe ata që për vite menduan se mund t’i shmangeshin drejtësisë po përballen me ligjin.

Sovranitet, rend dhe ligj. Në çdo cep të Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme