Lajme

Pacolli:Konkurse kombëtare e ndërkombëtare për projektet e rëndësishme mjedisore

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se Ministria do të punojë me Odën e Arkitektëve të Kosovës për organizimin e konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare për projektet e rëndësishme hapësinore dhe mjedisore.

Pacolli tha se në Kuvendin e Odës së Arkitektëve ka potencuar se projektet e rëndësishme të Kosovës nuk duhet të vijnë nga shabllonet dhe procedurat burokratike, por nga idetë, kreativiteti dhe vizioni i arkitektëve.

“Prandaj, Ministria do të punojë me Odën e Arkitektëve të Kosovës që për projektet e rëndësishme hapësinore dhe mjedisore të organizohen konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, ku idetë më të mira të arkitektëve vizionarë do të kenë mundësinë të realizohen”, tha Pacolli.

Ajo bëri të ditur se Odës së Arkitektëve të Kosovës tashmë i është kërkuar mbështetje profesionale në organizimin e konkurseve kombëtare dhe ndërkombëtare për masterplanet e Liqenit të Batllavës, Badovcit, Radoniqit, Livoçit dhe Rubovcit, Ligatinës së Hencit, lumit Drini i Bardhë dhe Ujëvarave të Mirushës.

“Këto hapësira meritojnë projekte që i japin identitet Kosovës dhe që mund të shërbejnë si modele edhe përtej saj”, tha Pacolli.

Ajo shtoi se dëshiron që këto projekte të shërbejnë si vepra që frymëzojnë, mbrojnë natyrën dhe u shërbejnë qytetarëve.

Të Ngjashme