Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, është nisur këtë të premte drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një vizitë zyrtare pas 14 vitesh.
Pak përpara nisjes nga aeroporti i Rinasit, Berisha foli për mediat dhe e cilësoi udhëtimin e tij si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë.
Gjatë vizitës në SHBA, kreu i PD-së pritet të zhvillojë takime me politikanë amerikanë, si dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Berisha u shpreh se udhëtimi i tij drejt SHBA-së vjen me të njëjtën bindje që kishte në mars të vitit 1991, kur Shqipëria po përjetonte ndryshimet e para pas rënies së regjimit komunist.
“Ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Nisem për në SHBA me atë bindje si në mars të vitit 1991, se vendi i madh i lirisë do të mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjet e tyre për t’u çliruar nga diktatura autoritare e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Sipas mediave shqiptare, ai tha se në SHBA do të takohet me miqtë e tij dhe do t’u përcjellë mesazhin: “Unë erdha”.
“Prania juaj këtu dëshmon se ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë. Në rrafshin tim, unë shkoj dhe takoj miqtë e mi, u them: ‘Unë erdha’”, u shpreh kreu i PD-së.
Udhëtimi drejt SHBA-së vjen pas një periudhe të gjatë prej 14 vitesh pa një vizitë të Berishës në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2021, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë “non grata”, duke e ndaluar hyrjen në territorin amerikan.
Pak kohë më parë, Berisha bëri me dije zyrtarisht se e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë e kishte informuar se ai mund të udhëtonte drejt Shteteve të Bashkuara.
