Lajme

Pas deklaratave të ministres serbe, reagon Zyba me akuza të rënda

Zyrtari i LVV-së, Salih Zyba, ka akuzuar ministren serbe Snezhana Paunoviq se promovon politika të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.

Ai tha se pasivizimi i adresave në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është diskriminim sistematik që ua mohon shqiptarëve të drejtat themelore dhe synon ndryshimin e strukturës demografike të Luginës.

Postimin e Zybës:

Snezana Paunovic, ministre në Qeverinë e Serbisë, e shpallur tashmë persona non grata në Republikën e Kosovës, mban përgjegjësi edhe për qeverisjen lokale, përfshirë komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ndërsa ajo shpreh hapur ambiciet për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë, në Luginën e Preshevës ky projekt nuk është vetëm retorikë por praktikë institucionale.

Politika e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është një nga format më të rënda të diskriminimit sistematik dhe të spastrimit etnik administrativ. Përmes fshirjes arbitrare të adresave të banimit, mijëra qytetarë shqiptarë po privohen nga të drejtat e tyre themelore, duke humbur mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës, për t’u pajisur me dokumente personale, për të pasur qasje në shërbime publike apo për të ushtruar një sërë të drejtash të garantuara me ligj. Ky mekanizëm rrjedhimisht ndryshon përbërjen demografike të Luginës përmes mjeteve administrative, duke detyruar shqiptarët të shkëputen nga vendet e pronat e tyre.

Kjo është dëshmia më e qartë se projekti që ajo promovon ndaj Kosovës është i njëjti projekt që Serbia e ka zbatuar prej vitesh dhe vazhdon ta zbatojë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës: përjashtimin, diskriminimin dhe zbrazjen graduale të trojeve të tyre përmes mekanizmave shtetërorë, herë me dhunë fizike, herë me ekonomike, herë administrative e kur të munden, me të gjitha bashkë.

Të Ngjashme