Pas statusit të gjatë të publikuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në rrjetet sociale, ku ai komentoi fotografinë e një protestuesi të vetëm para Kryeministrisë dhe i drejtoi një mesazh personal, ka reaguar edhe protagonisti i fotografisë, Erlis Sina.
Në një kundërpërgjigje të publikuar në profilin e tij në Facebook, Sina kundërshton drejtpërdrejt mënyrën se si kryeministri e interpreton praninë e tij në protestë dhe refuzon ta shohë veten si viktimë të manipulimit apo si njeri të braktisur nga të tjerët.
“Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde. Unë nuk jam ti”, shkruan ai, duke theksuar se nuk mund të krahasohet me një njeri që prej vitesh mban pushtetin dhe merr vendime që ndikojnë jetën e qytetarëve.
Sina i përgjigjet deklaratës së Ramës se ndan të njëjtat shqetësime me protestuesit, duke e akuzuar kryeministrin se nuk është viktimë e problemeve që përjetojnë qytetarët, por përgjegjës për to.
“Ti nuk je viktima e halleve të mia. Ti je autori i tyre”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, protestuesi rendit një sërë problematikash që, sipas tij, kanë shtyrë mijëra qytetarë drejt zhgënjimit dhe largimit nga vendi, duke përmendur emigrimin e të rinjve, padrejtësitë sociale dhe arrogancën e pushtetit.
Ai kundërshton gjithashtu pretendimin se pjesëmarrësit në protesta manipulohen nga politika, mediat sociale apo figura publike.
“Mijëra njerëz nuk dalin në shesh sepse i manipulon algoritmi. Ata dalin sepse jetojnë realitetin çdo ditë, paguajnë faturat, kërkojnë punë, presin në spitale dhe shohin fëmijët e tyre të largohen nga Shqipëria”, shkruan Sina.
Në fund të reagimit të tij, ai i kërkon kryeministrit të mos përdorë fotografinë e tij për të ndërtuar narrativën politike të qeverisë apo për të shmangur përgjegjësitë për problemet që, sipas tij, kanë nxjerrë qytetarët në protestë.
“Mos e përdor fotografinë time për të larë përgjegjësitë e tua. Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua. Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush. Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu”, ka shkruar ai./teve1.info/
