Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pas letrës që dërgoi për Asociacionin, Gërvalla thërret konferencë për media

Kryediplomatja Donika Gërvalla do të mbajë sot konferencë për media, duke filluar nga ora 13:00.

Konferenca do të mbahet në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në katin zero.

Kjo konferencë vjen pasi e njëjta njoftoi se i ka shkruar letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Theodoros Rousopoulos, të cilit i ka thënë se Kosova po e shkruan një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe se atë do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit.

Gërvalla tha se letra përmban zotimin se Qeveria e Kosovës do ta përgatisë një draft, ndërsa letrën e ka publikuar të plotë Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet.

“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, shkruan Gërvalla në Facebook.

Ajo thotë se “një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat”.

Drafti që po përgatitet, siç thotë Gërvalla, “siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njejtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin”.

Tash, ajo thotë se Kosova kërkon dhe pret që Komiteti i Ministrave ta pranojë përfundimisht vendit në KiE këtë muaj.

“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”, shkruan Gërvalla.

Letra vjen tash që Kosova po përpiqet që në momentin e fundit të anëtarësohet në KiE. Komiteti i Ministrave, që duhet të vendos përfundimisht për këtë, mblidhet sot dhe nesër.