Lajme

Pas qëndrimit të 6 deputetëve të LDK-së për Sejdiun, flet Kurti

Pas deklaratës së kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se gjashtë deputetë të kësaj partie nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President të Kosovës, për këtë situatë është deklaruar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Abdixhiku ka bërë të ditur se gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë për mbështetjen e kandidaturës së Sejdiut.

“Me keqardhje të madhe, 6 deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Armend Zemaj, Kujtim Shala, Arben Gashi dhe Janina Ymeri”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërkohë, Kurti është deklaruar për zhvillimet e fundit në LDK, teksa po shkonte në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se marrëveshja me LDK-në për zgjedhjen e presidentit ishte bërë me qëllim që t’i jepej fund krizës politike.

“Ne nuk kemi bërë marrëveshje që të zgjedhim presidentin në mënyrë demokratike. E kemi shndërruar me Lidhjen Demokratike të Kosovës në marrëveshje me emrin e përveçëm të profesor Bekim Sejdiut, për të cilin kemi pasur takim në Kryesi dhe Grupin Parlamentar të Lëvizjes. Tash po shkoj në mbledhje të Grupit Parlamentar. Më pas do të mund t’iu drejtohem”, tha Kurti.

Deklarata e Kurtit vjen në një moment kur mbështetja për kandidaturën e Bekim Sejdiut është vënë në pikëpyetje, pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së se nuk do ta votojnë atë për postin e Presidentit.

Të Ngjashme