Aktuale

Pas skandalit me çertifikatat e COVID-19, jepet vendimi për Granit Xhakën

Kapiteni i kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, është dënuar me gjobë me kusht për falsifikimin e dy certifikatave të vaksinimit kundër COVID-19.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë futbollisti përmes një postimi në Instagram, ku konfirmoi se Prokuroria ka marrë vendimin pas dëshmisë së tij.

Sipas vendimit, Xhaka është dënuar me 50 ditë gjobë, me një vlerë prej 3000 frangash zvicerane për çdo ditë, por dënimi është pezulluar me kusht. Kjo do të thotë se ai nuk do ta shlyejë këtë shumë, nëse gjatë periudhës së përcaktuar nuk kryen ndonjë vepër tjetër. Ndërkohë, futbollisti ka bërë të ditur se ka paguar shpenzimet e procedurës.

Çështja u bë publike pasi gazeta zvicerane “Blick” raportoi për hetimin e nisur nga Prokuroria e Lucernës. Më pas, Xhaka pranoi se gjatë pandemisë kishte përdorur dy certifikata vaksinimi të falsifikuara.

“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë”, ka deklaruar kapiteni i Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për të përballuar pasojat e veprimit të tij.

REAGIMI

Para disa javësh u shpreha personalisht këtu dhe thashë se e marr përsipër përgjegjësinë për vendimin tim. Qëndroj pas kësaj.

Pasi kam dhënë deklaratën time të plotë pranë prokurorisë, tani vendimi i takon prokurorisë.

Jam dënuar me një urdhër penal për përfitimin/realizimin e një vërtetimi të rremë, me një gjobë të kushtëzuar prej 50 ditësh-gjobë, nga 3,000 franga zvicerane për ditë, me një periudhë prove prej dy vitesh.

Kjo do të thotë: Dënimi nuk do të ekzekutohet, nëse gjatë kësaj periudhe nuk kryej ndonjë shkelje tjetër. Shpenzimet e procedurës i kam paguar tashmë.

E pranoj vendimin dhe marr përsipër përgjegjësinë.

Faleminderit për të gjitha mesazhet mbështetëse që kam marrë gjatë javëve të fundit. Ato kanë shumë rëndësi për mua.

Të Ngjashme