Lajme

Pas zgjedhjeve nis beteja e madhe politike, opinionisti zbulon skenarin që mund ta nxjerrë Kosovën nga kriza

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënoi përfundimin e procesit zgjedhor, por njëkohësisht hapi fazën më të rëndësishme të jetës politike: formimin e institucioneve të reja.

Tashmë, vëmendja është zhvendosur te negociatat mes partive, të cilat do të përcaktojnë jo vetëm përbërjen e qeverisë së ardhshme, por edhe stabilitetin politik të vendit në vitet që vijnë.

Në një skenë politike të fragmentuar, mbetet të shihet nëse partitë do të arrijnë të lënë mënjanë dallimet për të ndërtuar një shumicë qeverisëse, apo vendi do të përballet me një tjetër periudhë bllokade institucionale.

E në lidhje me atë se çfarë pritet të prodhojnë takimet mes partive politike, për “Bota sot” foli opinionisti Skënder Kapiti.

Fillimisht, ai u shpreh se zgjidhja më e mirë është koalicioni LVV-LDK, pasi vlerëson se një marrëveshje e tillë mund t’i jepte fund krizës institucionale në vend. Mirëpo, sipas tij, një gjë e tillë do të varet më shumë nga LDK-ja sesa nga zhvillimet e brendshme të saj.

Image
Skënder Kapiti.

“Zgjidhja më e mirë dhe më e mundshme për t’i dhënë fund krizave institucionale në Kosovë do të ishte një aleancë, një koalicion bashkëqeverisës mes LVV-së dhe LDK-së. Mirëpo, kjo varet shumë nga LDK-ja, e cila edhe vetë ndodhet në një krizë të thellë, të shkaktuar nga elita e saj politike, si ajo e vjetra, ashtu edhe ajo e reja, me Abdixhikun dhe Osmanin”.

Krahas kësaj, Kapiti u shpreh kritik ndaj partive opozitare dhe qasjes së tyre në raport me Kurtin.

Ai konsideroi se opozita ka lënë përshtypjen se është më shumë dakord me LS-në sesa me LVV-në.

“E gjithë opozita politike në Kosovë është në një krizë demokratike dhe patriotike dhe prej saj nuk vjen asnjë alternativë në shërbim të shtetit të Kosovës.

Opozita politike në Kosovë të lë përshtypjen se është më shumë dakord me Listën Serbe dhe me Serbinë sesa me Kurtin dhe LVV-në. Megjithatë, edhe Kurtit i takon të tregojë tolerancë, pasi në demokraci zgjidhja vjen edhe përmes pajtimit, marrëveshjes, konsensusit dhe koalicionit. Duhet pranuar diçka në funksion të interesit kombëtar”.

Për këtë, ai shpreson të ketë një marrëveshje mes LDK-së dhe LVV-së, ku më pas do të propozohej një kandidat për president jopolitik dhe me vlera kombëtare.

“Do të ishte mirë që LVV-ja dhe LDK-ja të arrinin një marrëveshje sipas së cilës presidenti të propozohej nga LDK-ja, ndërsa kandidat të ishte një personalitet jopolitik, i besueshëm dhe simbol i unitetit kombëtar, cilësi që nuk i plotëson asnjë deputet aktual i LDK-së, e cila është konsumuar dhe lodhur politikisht”, përfundoi Skënder Kapiti për “Bota sot”.

Të Ngjashme