Aktuale

“Pashë dikë me maskë e syze”/ Dëshmitari rrëfen si ndodhi atentati ndaj Kujtim Metës

ë Gjykatën e Posaçme ka vijuar procesi gjyqësor ndaj Artan Tafani, ku sot është dëgjuar dëshmia e një dëshmitari okular për atentatin ndaj Kujtim Metës, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2022 në Lushnjë.

Dëshmitari ka rrëfyer se e njihte Kujtim Metën dhe banonin në të njëjtën lagje. Ai deklaroi se ditën e ngjarjes, ishte ulur në lokalin pranë stacionit të trenit në Lushnjë, së bashku me vëllain e tij.

Ai ka deklaruar se në momentin e atentatit një person i maskuar dhe me syze ka hyrë në lokal, duke shkaktuar panik. Kur ndodhi sulmi me armë ndaj Metës, deshmitari dhe vëllai i tij u fshehën dhe një nga momentet qe atij i kujtohen është vetëm thirrja për ndihmë.

“Kujtim Metën e njoh, është komshi, banor i lagjes “18 Nëntori” në Lushnjë. Atë ditë që ka ndodhur atentati ndaj Kujtimit, isha në një lokal me vëllain. Dëgjova ‘pau, pau’ dhe jam fshehur poshtë tavolinës, ndërsa vëllai iku me vrap dhe u fsheh pas makinës. Më pas dëgjuam: ‘Ndihmë, ndihmë’. Ka ndodhur para 2-3 vitesh, vitin fiks nuk e mbaj mend. Lokali ndodhej te stacioni i trenit në Lushnjë. Pija kafen e mëngjesit aty edhe pasdite. Kur ndodhi ngjarja ishte pasdite. Lokali ndodhet te rrethrrotullimi, trotuari është rreth 3 metra e gjysmë dhe më pas ndodhet lokali. Shtator ose tetor sikur ka qenë. Kemi qenë ulur brenda. Nuk njoha askënd, pashë dikë me maskë dhe syze. Në lokal ishin traktoristët, taksistët, pronari i lokalit, ndërsa të tjerët ishin ulur jashtë. Ne ishim aty përpara dhe pas 10-15 minutash erdhi Kujtimi. U ul vetëm, rreth dy tavolina më larg, afërsisht 2 metra e gjysmë larg nesh. Unë kam qenë ulur në anën e djathtë të derës, ndërsa Kujtimin e kisha përballë. I thamë thjesht: ‘Ç’kemi’. U përshëndetëm. E përjetuam shumë keq. Vëllai ka pasur trauma pas ngjarjes. Pasi dëgjuam ‘Ndihmë’, e morëm bashkë me vëllain dhe pronarin e lokalit dhe e dërguam në spital,“-u shpreh dëshmitari.

Pasditën e 20 prillit Kujtim Meta ishte ulur në një nga lokalet e Lushnjës pa e ditur se çfarë e priste. Teksa ishte duke konsumuar kafen, Artan Tafani ka hyrë në lokal dhe ka hapur zjarr ndaj tij. Ai fillmisht është plagosur në bark dhe ka rënë në tokë.

Më pas është ngritur për të ia mbathur nga një derë tjetër e lokalit, por është ndjekur pas nga Tafani, i cili qëllonte vazhdimisht. Pavarësisht 5 plumbave që e preken në trup, ai mbijetoi.

Të Ngjashme