Eksperti i sigurisë Avni Islami ka deklaruar se gjatë procesit të fundit zgjedhor në Kosovë ka pasur ndërhyrje nga Beogradi në drejtim të komunitetit serb, me qëllim orientimin e votës në favor të Lista Serbe.
Sipas tij, BIA ka ushtruar presion ndaj qytetarëve serbë në pikat kufitare, duke marrë në pyetje dhe duke paralajmëruar pasoja për ata që mbështesin partitë opozitare serbe ose kundërshtojnë linjën politike të Beogradit.
Ai thekson se këto veprime lidhen me ndikimin e Beogradit në politikën e Kosovës, ndërsa përmendet edhe roli i presidentit serb Aleksandar Vučić në mbështetjen e Listës Serbe.
Postimi i plotë:
Ndikimi i Beogradit në zgjedhjet e Kosovës: Presioni mbi komunitetin serb
Gjatë procesit të fundit zgjedhor në Kosovë, Beogradi zyrtar vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat shtetërorë për të diktuar votën e komunitetit serb në favor të Listës Serbe, subjekt ky që konsiderohet si instrument i drejtpërdrejtë i politikës së Aleksandër Vuçiçit.
Në këtë kuadër, Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) shënoi një aktivizim të paprecedentë në pikat kufitare me Kosovën. Përmes ndalimit dhe marrjes në pyetje të dhjetëra qytetarëve serbë, ky aparat sigurie ushtroi presion të hapur mbi zërat kritikë dhe kundërshtarët e Listës Serbe. Zyrtarët e BIA-s u dhanë mesazhe të qarta qytetarëve: çdo mbështetje për partitë opozitare serbe ose kundërshtim i vijës politike të Beogradit, do të pasohej me pengesa dhe kufizime të lirisë së tyre të lëvizjes brenda territorit të Serbisë qendrore.
Ky strategji e ndërhyrjes mbart një mesazh të prerë politik: synimin e hapur të Serbisë për të sabotuar funksionimin e institucioneve legjitime të Kosovës dhe për të penguar shtrirjen e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjit në të gjithë territorin e vendit.
