Lajme

​PDK dërgon në Kushtetuese Qeverinë Kurti IV, dje kontestoi konstituimin e Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës do t’i drejtohet sot Gjykatës Kushtetuese edhe për konstituimin e Qeverisë Kurti IV, një ditë pasi në këtë institucion dërgoi çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda do të mbajnë konferencë për media para Gjykatës Kushtetuese, në orën nëntë (9:00).

PDK-ja pritet të kontestojë mënyrën e konstituimit të Qeverisë Kurti IV, e cila u votua pas përfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit.

Ky veprim vjen një ditë pasi PDK-ja iu drejtua Kushtetueses edhe për procesin e konstituimit të legjislaturës së re.

Kuvendi u konsiderua i konstituuar pa u zgjedhur të pesë nënkryetarët e paraparë, pasi kandidatja e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku, nuk u votua.

PDK-ja kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën e Çitakut, ndërsa më pas kishte kundërshtuar përfundimin e seancës konstituive pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve.

Të hënën, pas dorëzimit të lëndës në Gjykatën Kushtetuese, Tahiri kishte deklaruar se partia e tij po kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit.

PDK-ja kishte kërkuar gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese marrjen e masës së përkohshme, me arsyetimin se duhet të parandalohen pasoja të mëtejshme juridike dhe institucionale.

Kontestimi i sotëm për Qeverinë Kurti IV lidhet kështu me çështjen paraprake të konstituimit të Kuvendit, nga i cili më pas është votuar ekzekutivi i ri.

KosovaPress do të përcjellë konferencën e PDK-së para Gjykatës Kushtetuese.

Të Ngjashme