Lajme

PDK sot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës dhe formimin e Qeverisë.

PDK-ja ka bërë të ditur se para Gjykatës Kushtetuese do të mbajë një konferencë për media, ku do të prezantojë lëndën që do ta dërgojë për shqyrtim.

Sipas këtij subjekti politik, çështja do të përfshijë jo vetëm konstituimin e Kuvendit, por edhe procedurën e formimit të Qeverisë Kurti 4.

Të dielën, Kuvendi i Kosovës votoi Qeverinë Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme. Tetë deputetë të Listës Serbe votuan kundër, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës nuk morën pjesë në votim.

Votimit të Qeverisë i parapriu vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e cila u mbajt në orët e paradites.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Legjislaturën e 11-të, ndonëse nuk u zgjodh nënkryetari nga radhët e PDK-së.

PDK-ja e bojkotoi vazhdimin e seancës, duke pretenduar se në këtë proces janë shkelur ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës.

Tashmë mbetet të shihet se çfarë kërkese do t’i parashtrojë PDK-ja Gjykatës Kushtetuese dhe si do të vlerësohet ajo nga ky institucion.

Të Ngjashme