Lajme

Pekini përballet me reshje të dendura, autoritetet paralajmërojnë për përmbytje dhe rrëshqitje dheu

Disa distrikte të Pekinit kanë lëshuar të premten në mbrëmje paralajmërime për reshje të mëdha shiu, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rreziqe nga përmbytjet në zonat urbane, si dhe rrëshqitje dheu në zonat bujqësore dhe malore.

Reshjet e fuqishme vijnë në kohën kur Kina po përgatitet për tajfunin “Dolphin”, i cili pritet të prekë bregdetin lindor të vendit nga e diela deri të hënën.

Distriktet e Pekinit, përfshirë Dongcheng, Xicheng, Haidian, Chaoyang, Tongzhou dhe Pinggu, kanë aktivizuar paralajmërime për reshje intensive, me pritshmëri që sasia e shiut të kalojë 50 milimetra në orë, shkruan Reuters, përcjell Klankosova.tv.

Reshjet më të mëdha janë regjistruar në distriktin Miyun, në verilindje të Pekinit, ku pasditen e së premtes niveli i reshjeve arriti në 99.5 milimetra.

Autoritetet kineze kanë angazhuar më shumë se 2 mijë persona për të ndihmuar në përballimin e përmbytjeve në dhe përreth Pekinit.

Tajfuni “Dolphin” pritet të sjellë reshje të dendura deri në ekstreme në disa rajone të Kinës. Ndërkohë, provinca veriperëndimore Shaanxi është goditur nga reshje të fuqishme dhe përmbytje, të cilat kanë shkaktuar dëmtime në rrugë, ura dhe infrastrukturën energjetike e të komunikimit, duke detyruar evakuimin e mijëra banorëve.

Të Ngjashme