Lajme

​Perfekti i Tiranës kërkon seancë urgjente të Kuvendit

Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ka kërkuar mbajtjen e një seance urgjente dhe të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar zhvillimin e sotëm në Hagë si provokim të rëndë ndaj popullit të Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi.

“Seancë urgjente, e jashtëzakonshme e Parlamentit të Kosovës, para se situata të dalë jashtë kontrollit! Provokim i rëndë për popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar në tërësi!”, ka shkruar Hajdari.

Ai ka drejtuar kritika të ashpra ndaj trupit gjykues, duke deklaruar se gjatë shqiptimit të vendimit nuk u fol për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe as për krimet e kryera nga Serbia.

“Trup gjykues i turpshëm! Asnjë fjalë për luftën e drejtë të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës, asnjë fjalë për gjenocidin e Serbisë!”, ka theksuar prefekti i Tiranës.

Sipas tij, formulimi “Në emër të popullit të Kosovës”, i përdorur nga kryetari i trupit gjykues, bie ndesh me zërin e mijëra shqiptarëve që po shprehin mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.

“Sot, fjalët e kryetarit të trupit gjykues, ‘Në emër të popullit të Kosovës’, peshojnë rëndë, ndërsa zëri i mijëra shqiptarëve ngrihet nga Prishtina deri në Hagë, në mbështetje të atyre që i konsiderojnë çlirimtarët e Kosovës. Një kontrast i dhimbshëm mes emrit të popullit dhe zërit të tij në shesh, por edhe krenari e palëkundur për luftën, sakrificën dhe lirinë e Kosovës”, ka shkruar ai.

Hajdari e ka përmbyllur reagimin me mesazhin se “beteja për drejtësi vazhdon”.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, Kadri Veseli 18 vjet burgim, Jakup Krasniqi 25 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Të Ngjashme