Lajme

Përfundon numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Votimi me kusht është zhvilluar të dielën, më 7 qershor, në 38 Qendra të Votimit, nga një për çdo komunë, me gjithsej 52 vendvotime.

Gjithashtu, edhe votimi i personave me nevoja të veçanta është zhvilluar të dielën, më 7 qershor, por ky lloj votimi është mundësuar jashtë vendvotimeve, në adresa të caktuara të votuesve të regjistruar dhe të evidentua për të votuar përmes ekipeve lëvizëse.

Në orën 14:30 të ditës së sotme, e mërkurë, 17 qershor, është përmbyllur numërimi i të gjitha fletëvotimeve që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës, ndërkaq numërimi i fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe i personave me nevoja të veçanta, është përmbyllur në orën 18:30.

Me përfundimin e nuëmrimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ arrin që 10 ditë pas ditës së zgjedhjeve të përmbyllë procesin e numërimit të të gjitha fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kësaj periudhe 10-ditore (8 qershor – 17 qershor 2026), KQZ ka zhvilluar këto aktivitete kryesore:

Në 38 Qendrat Komunale të Numërimit është bërë (1) verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në 2,498 vendvotime të rregullta dhe (2) numërimi i votave të kandidatvëe për deputetë nga këto vendvotime;

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është bërë (1) numërimi i fletëvotimeve nga votimi në 47 vendvotime të 30 përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës, i zhvilluar më 6 qershor dhe ku kanë votuar rreth 23,000 shtetas të Kosovës dhe (2) numërimi i rreth 83,000 fletëvotimeve nga votimi përmes postës; dhe

Gjithashtu, në QNR është bërë (3) numërimi i rreth 8,700 fletëvotimeve me kusht nga 52 vendvotime me kusht dhe (4) numërimi i rreth 1,840 mijë fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

Të Ngjashme