Shërbimet e emergjencës në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndërhyrë pas një përplasjeje mes dy trenave pranë Bedfordit në Anglinë lindore të premten.
Policia Britanike e Transportit tha se po i përgjigjej raportimeve për një përplasje që përfshinte dy trena pranë Bedfordit, ndërsa Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Bedfordshire u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën.
Ajo njoftoi se një person është konfirmuar i vdekur në përplasje, dhe shumë të tjerë janë të lënduar, raporton BBC.
Sipas The Times të Londrës, Spitali i Bedfordit po përgatitej të priste të paktën 50 viktima dhe kishte urdhëruar “të gjithë të vihen në gatishmëri”, me thirrje të dërguara në disa departamente për staf shtesë për të ndihmuar.
Shërbimi i Ambulancës së Anglisë Lindore gjithashtu kërkoi shmangien e zonës, ndërsa një ambulancë ajrore u raportua në jug të Bedfordit
Ndërkohë, kompania hekurudhore Thameslink njoftoi ndërprerje të mëdha në shërbime, duke thënë se “Të gjitha linjat janë të bllokuara midis Luton dhe Bedford,” dhe se pasagjerëve u është kërkuar të qëndrojnë në tren derisa të jepen udhëzime të mëtejshme.
