Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka theksuar rëndësinë e avancimit të Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke kërkuar që institucionet e Bashkimit Evropian të reagojnë ndaj progresit që po shënojnë vendet e rajonit në zbatimin e reformave.
Terras vlerësoi se është thelbësore që Kosova të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar këtë hap si një sinjal të rëndësishëm për qytetarët dhe institucionet e vendit.
Gazmend Halilaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e eurodeputetit Riho Terras, duke e vlerësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm politik për pozicionin e Kosovës në raport me Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit evropian.

Gazmend Halilaj
“Deklarata e eurodeputetit Riho Terras është një sinjal i rëndësishëm politik se Kosova po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje brenda institucioneve evropiane. Kërkesa që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nuk është vetëm një çështje simbolike, por një njohje e progresit që vendi ka bërë në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e institucioneve demokratike dhe reformat e vazhdueshme”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Halilaj ka theksuar se proceset e brendshme reformuese dhe orientimi eurointegrues i vendit po ndikojnë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar përkushtim ndaj reformave dhe integrimit evropian, duke rritur besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe duke forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo mund të përbëjë një dritare të re mundësish për Kosovën, veçanërisht në një kohë kur Bashkimi Evropian po rishikon qasjen e tij ndaj zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.
Sipas tij, procesi mbetet i sfiduar nga faktorë politikë dhe diplomatikë që vazhdojnë të ngadalësojnë progresin drejt BE-së.
“Megjithatë, pengesat mbeten të pranishme, duke filluar nga mosnjohja e Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, sfidat që lidhen me dialogun me Serbinë dhe nevoja për vazhdimin e reformave të brendshme. Pavarësisht këtyre sfidave, mbështetja e figurave me ndikim në Parlamentin Evropian tregon se perspektiva evropiane e Kosovës është më e gjallë se kurrë dhe se vendi ynë duhet të vazhdojë me vendosmëri rrugën e reformave dhe integrimit”, ka përfunduar Halilaj për “Bota sot”.
