Një muaj më parë, një pesëvjeçar, për shkak të keqtrajtimit nga prindërit, mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik.
Zëdhënësja e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) i ka thënë KosovaPress-it se ai është liruar nga Klinika e Pediatrisë gjatë ditës së djeshme.
“Në përgjigje të pyetjeve të parashtruara, bazuar në të dhënat zyrtare nga Klinika e Pediatrisë, ju njoftojmë se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile. Fëmija është liruar nga Klinika e Pediatrisë gjatë ditës së djeshme. Është marr nga QPS në Gjakovë”, thuhet në këtë përgjigje.
Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, e ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale. Ky raport është pranuar, vonë pasditen e së mërkurës nga Divizioni për Inspektimin e Shërbimeve Sociale dhe Familjare.
Vet Ministri Hoti e konfirmoi ekskluzivisht për KosovaPress se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.
Një muaj më parë, ngjarja e pesëvjeçarit e ka tronditur vendin. Për shkak të keqtrajtimit nga prindërit, ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik.
Për dy prindërit e tij, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte caktuar masa e paraburgimit. Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale të Lipjanit.
