Lajme

Policia certifikon 175 zyrtarë policorë në modulin për ballafaqimin me turma

Policia e Kosovës ka certifikuar 175 zyrtarë policorë të Njësive për Reagim të Shpejtë (NJRSH), pas përfundimit të ciklit të trajnimeve profesionale në modulin “Ballafaqimi me Turma”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, trajnimi është zhvilluar në pesë grupe, ndërsa grupi i pestë ishte edhe i fundit që përmbylli këtë program profesional.

Trajnimi u realizua nga instruktorët e Drejtorisë së Njësisë Speciale Operative (NJSO), në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, nën mbikëqyrjen e Divizionit të Trajnimit, në kuadër të Departamentit të Burimeve Njerëzore.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të stafit udhëheqës të Departamentit dhe Divizionit të Njësive Speciale, instruktorë të NJSO-së, si dhe përfaqësues të stafit mbikëqyrës të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut.

Sipas Policisë, ky program është pjesë e aktiviteteve të planifikuara për zhvillimin profesional të Njësive për Reagim të Shpejtë, me fokus në standardizimin e përgatitjes dhe avancimin e kapaciteteve për përmbushjen e detyrave policore.

Përmes këtij trajnimi, synohet forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operative të zyrtarëve policorë, si dhe ngritja e gatishmërisë së tyre për t’u përballur me situata që kërkojnë menaxhim dhe reagim ndaj turmave.

Të Ngjashme