Lajme

Policia e Kosovës rikujton: Nga 15 nëntori deri më 15 mars, pajisjet dimërore janë të obligueshme

Policia e Kosovës u ka rikujtuar shoferëve se nga 15 nëntori deri më 15 mars është obligative pajisja e automjeteve me pajisje dimërore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Me fillimin e sezonit dimëror, Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në trafik dhe të sigurohen që automjetet e tyre janë teknikisht të gatshme për qarkullim në kushte dimërore.

Përveç pajisjes me goma dimërore, rekomandohet kontrollimi i sistemit të frenimit, ndriçimit, fshirëseve të xhamave, sistemit të ngrohjes dhe gjendjes së përgjithshme teknike të automjetit.

Policia ka apeluar te shoferët që të respektojnë disa rregulla të rëndësishme për sigurinë në trafik:

Të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës dhe motit.

Të mbajnë distancë të mjaftueshme ndërmjet automjeteve.

Të shmangin frenimet dhe manovrimet e papritura.

Të mos përdorin telefonin mobil gjatë drejtimit të automjetit.

Të shmangin udhëtimet e panevojshme gjatë kushteve të vështira atmosferike.

Të kenë kujdes të veçantë ndaj këmbësorëve, sidomos fëmijëve, të moshuarve dhe personave me nevoja të veçanta.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin dhe menaxhimin e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

“ Asnjë udhëtim nuk është më i rëndësishëm se jeta”, thuhet në apelin e Policisë, e cila u bën thirrje qytetarëve për kujdes dhe përgjegjësi gjatë qarkullimit në rrugë.

Të Ngjashme