Sulmi me armë ndaj dy vëllezërve shqiptarë në Gjermani, policia shpall në kërkim 37-vjeçarin Erandi Cano dhe paralajmëron për rrezik
Policia gjermane ka shpallur në kërkim një 37-vjeçar shqiptar, të dyshuar për përfshirje në një sulm të rëndë me armë zjarri dhe thikë ndaj dy vëllezërve shqiptarë në qytetin Hamm. Autoritetet kanë publikuar fotografitë e të dyshuarit dhe paralajmërojnë se ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.
Personi i shpallur në kërkim është Erandi Cano, 37 vjeç, me origjinë nga Shqipëria. Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Dortmundit, ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti nën dyshimin për vrasje në tentativë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 3 qershorit 2026, në ambientet e ish-lokalit “Café 67”, në rrugën Wilhelmstraße 40–42, në qendër të qytetit Hamm, në landin Nordrhein-Westfalen.
Dy vëllezër shqiptarë, të moshave 33 dhe 36 vjeç, banues në Beckum, mbetën të plagosur rëndë pas një përplasjeje të dhunshme, gjatë së cilës u përdorën armë zjarri dhe mjete prerëse.
Sipas dëshmive të dy vëllezërve, të raportuara nga televizioni publik gjerman WDR, gjithçka nisi kur një person që ndodhej në tavolinën ngjitur u përfshi në një konflikt fizik me njërin prej tyre.
Situata më pas u përshkallëzua, kur një person tjetër dyshohet se ndërhyri në konflikt dhe hapi zjarr ndaj vëllezërve. Gjatë përplasjes, njëri prej agresorëve dyshohet se i ka goditur ata edhe me thikë.
Dy shqiptarët pësuan plagë nga të shtënat, goditjet me thikë dhe mjetet prerëse, ndërsa fillimisht ndodheshin në rrezik për jetën.
Pas incidentit, hetimet iu besuan një komisioni të posaçëm për hetimin e krimeve të rënda pranë Policisë së Dortmundit.
Pas disa muajsh hetimesh, autoritetet arritën të identifikojnë Erandi Canon si një nga personat e dyshuar për përfshirje në sulm. Sipas prokurorit Henner Kruse, dëshmitë e mbledhura dhe gjurmët e siguruara gjatë hetimeve kanë luajtur rol të rëndësishëm në identifikimin e të dyshuarit.
Policia gjermane bën të ditur se Cano dyshohet se përdor edhe identitetin “Marco Lombardi”, përmes një dokumenti italian të falsifikuar.
Autoritetet kanë publikuar fotografitë e tij në portalin zyrtar të kërkimit policor, me qëllim sigurimin e informacioneve që mund të çojnë në lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetuesve, 37-vjeçari mund të ndodhet ende në qytetin Hamm.
Policia ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët, duke u kërkuar të mos i afrohen dhe të mos tentojnë ta ndalojnë vetë të dyshuarin, pasi ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm.
Personat që kanë informacione për vendndodhjen e tij mund të kontaktojnë Policinë Kriminale të Dortmundit në numrin +49 231 132-7441. Në rast se e shohin, autoritetet kërkojnë njoftimin e menjëhershëm të policisë në numrin gjerman të emergjencës 110.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
