Aktuale

Linja të reja autobusësh dhe bileta online, çfarë pritet të ndryshojë në transportin ndërqytetës?

Linja të reja transporti për zonat me shërbim të kufizuar dhe rishikim i itinerareve ekzistuese, është kjo një nga ndërhyrjet që parashikon Strategjia Sektoriale e Transportit 2030 për përmirësimin e transportit ndërqytetës në vend.

Referuar relacionit që shoqëron projektvendimin “Për miratimin e strategjisë sektoriale të transportit dhe planit të veprimit 2030”, reforma synon të krijojë një rrjet më funksional të lëvizjes së udhëtarëve, duke përshtatur linjat dhe oraret me kërkesat reale të qytetarëve dhe duke shmangur përdorimin joefikas të kapaciteteve të transportit.

Sipas strategjisë, modeli aktual ka nevojë për riorganizim, pasi në disa segmente ka mbivendosje të linjave, ndërsa në zona të tjera mungojnë lidhjet e përshtatshme. Për këtë arsye, parashikohet një analizë kombëtare e flukseve të udhëtimit, e cila do të marrë në konsideratë shpërndarjen e popullsisë, zhvillimin rajonal dhe nevojat për lëvizshmëri. Në bazë të rezultateve do të përcaktohen ndryshimet në rrjetin ekzistues. Linjat që ofrojnë shërbime të përsëritura do të rishikohen, ato me kërkesë të ulët mund të bashkohen, ndërsa për komunitetet që kanë akses të pamjaftueshëm do të krijohen lidhje të reja.Strategjia e vendos theksin edhe te cilësia e mjeteve të transportit, duke parashikuar rinovimin gradual të flotës me autobusë elektrikë, hibridë dhe me emetime të ulëta. Për këtë qëllim synohet të nxiten investimet private përmes lehtësive fiskale dhe skemave të financimit.Një komponent tjetër i reformës lidhet me mënyrën e përzgjedhjes dhe monitorimit të operatorëve, ku parashikohen procedura konkurruese dhe kontrata shërbimi të bazuara në tregues performance. Përmirësimi i sigurisë, komoditetit dhe aksesit për personat me aftësi të kufizuara plotëson paketën e masave, që synojnë ta kthejnë transportin ndërqytetës në një shërbim më të organizuar, të besueshëm dhe të përshtatur me nevojat e qytetarëve.

Referuar dokumentit të Strategjisë Sektoriale të Transportit 2030, gjithashtu parashikohet prezantimi i sistemeve digjitale të biletave dhe informacionit për udhëtarët si dhe modernizimi i terminaleve ndërqytetëse të autobusëve.

Të Ngjashme