Djali i Fadil Fazliut foli në lidhje direkte pasi babai i tij, i cili është dënuar me 12 muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, pritet të lirohet sot, pasi periudhën e dënimit e ka vuajtur gjatë kohës së paraburgimit.
Fazliu e ka cilësuar vendimin si të padrejtë, duke thënë se familja kishte shpresuar për pafajësinë e të gjithë të akuzuarve.
“Vendim jo i drejtë. Ne menduam dhe shpresuam që do të ketë pafajësi të të gjithëve dhe jo dënime. Kjo është një gjykatë që mendoj se është e padrejtë dhe e them me përgjegjësi, sepse të gjithë këta janë të pafajshëm”, ka deklaruar Fazliu.
Ai ka thënë se po e presin lirimin e tij në afërsi të gjykatës në Hagë dhe se pritet të kthehen së bashku në Kosovë nesër.
“Si gjithmonë, sot, dje dhe gjithmonë e them se të gjithë ata janë të pafajshëm dhe presim lirimin e të gjithëve”, ka shtuar Fazliu.
