Lajme

Meha: Kënga nacionaliste serbe në forumin e BE-së dëshmon fuqinë e pro-rusëve brenda Unionit

Eksperti i sigurisë, Xhevat Meha, ka reaguar lidhur me shfaqjen e këngës nacionaliste serbe në një forum të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si demonstrim të fuqisë së pro-rusëve brenda BE-së.

Në një shkrim të tij, Meha vlerëson se kjo nuk ishte një ngjarje e rastësishme, por një veprim i mirëmenduar, që sipas tij, pasqyron ndikimin e veprimtarisë serbo-ruse.

Ai ka kritikuar edhe politikën e BE-së ndaj shqiptarëve pas luftës në Kosovë, duke përmendur rolin e EULEX-it dhe duke pretenduar se Brukseli ka penguar fuqizimin e Kosovës.

Meha ka theksuar se, po të kishte pasur më shumë mbështetje për shqiptarët gjatë dy dekadave të fundit, ata do të mund të ishin aleatë më të fuqishëm të forcave anti-ruse brenda BE-së.

Shkrimi i tij:

Kënga nacionaliste serbe demonstroi thellësinë dhe gjerësinë e fuqisë së pro-rusëve brenda BE-së.

Kënga nacionaliste serbe e shfaqur në forumin e BE-së për shumëkë lë përshtypjen e diçkaje të vogël e të parëndësishme. Në fakt, nuk është e rastësishme, është demonstrim i mirëmenduar nga pro-rusët. Kush e njeh veprimtarinë e fshehtë serbo-ruse në Kosovë dhe ndër shqiptarët, e ka të lehtë të kuptojë thellësinë dhe gjerësinë e kësaj veprimtarie brenda BE-së. Programet realizohen me veprime të shkëputura që duken të paqëllimta e të rastësishme, me veprime hap pas hapi, mirëpo të gjitha këto janë të mirëmenduara, që në qendër kanë relativizimin për të realizuar programet duke i vënë në gjumë. Veprimtaria e plotë shihet kur i bashkon të gjitha këto, sikur bashkimi i pikave që krijon figurën.

Pak vite para fillimit të luftës në Ukrainë, krerë të institucioneve franceze patën deklaruar se truri i NATO-s është kalbur dhe se fuqia e së ardhmes është boshti Rusi-Kinë. BE-ja blinte naftën dhe gazin rus dhe flinte gjumë, e Rusia fuqizohej. Plasi lufta dhe BE-ja vazhdon gjumin, derisa u desh që Administrata Amerikane ta shkundte. Tani BE-ja u bie në gjunjë amerikanëve që të mos e braktisin NATO-n dhe t’u sigurojnë një ulëse në bisedimet për Ukrainën.

Politika e BE-së ndaj shqiptarëve pas bombardimeve në Kosovë ishte tipike pro-ruse. Përderisa amerikanët ua besuan ndërtimin e pavarësisë e të shtetit ligjor, BE-ja, pas shpinës së amerikanëve, sabotoi pavarësinë e Kosovës dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Le të kujtojmë vetëm Misionin EULEX. Po qe se BE-ja do t’i kishte fuqizuar shqiptarët gjatë këtyre mbi 20 viteve, anti-rusët e BE-së do të kishin aleatë të fuqishëm në krah të tyre. Kreativiteti i politikës së BE-së ndaj shqiptarëve nuk shkon përtej një kopjeje të politikës së osmanëve ndaj shqiptarëve. Sa herë Rusia forcohej, osmanët u jepnin toka të shqiptarëve në Ballkan për të blerë rahatllëkun dhe gjumin për vete. Tani anti-rusët brenda BE-së bëjnë përpjekje, por pro-rusët janë të fuqishëm. Po t’i kishin anti-rusët e BE-së në krah shqiptarët, nuk do të kishin bllokada në miratimin e buxhetit të tyre për ndihmë Ukrainës, siç po kanë nga qeveri pro-ruse të BE-së.

Veprimet e pro-rusëve në Kosovë i kam prekur në lëkurë kaherë dhe i prek çdo ditë. Më poshtë po i bashkëngjis disa raste të paraqitura në librin tim, të shkruara në vitin 2014.

Të Ngjashme