Jennifer Lopez e ka marrë me shumë sportivitet një shaka për jetën e saj dashurore, duke shkaktuar të qeshura edhe mes publikut. Një moment nga shfaqja e saj në Las Vegas është bërë viral në rrjetet sociale, pasi një fans bëri një koment të papritur për martesat e saj të dështuara.
Gjatë emisionit të saj “The JLO Show: Live in Las Vegas”, këngëtarja dhe aktorja amerikane foli për historinë e saj sentimentale dhe përmendi se është divorcuar katër herë, duke ngritur katër gishta.
Në atë moment, një person nga publiku ndërhyri me shakanë: “Ke ende gjashtë gishta!”.
Komenti e bëri Lopez të shpërthente në të qeshura. Ajo filloi të kërcente nga gëzimi dhe të tregonte me gisht drejt personit që bëri batutën.
“Pikërisht!”, u përgjigj këngëtarja, përpara se të shtonte: “Zot i madh, kjo është gjëja më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time”.
Madje, dikush në skenë sugjeroi që batuta të kthehej në një mbishkrim për bluzat, ide me të cilën Lopez u pajtua.
Videoja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, ku përdoruesit komentuan reagimin e saj spontan. Personi që filmoi momentin, Marina Pruitt, tha për “Today” se Lopez është një frymëzim për të, pasi ka ditur të përballet me vështirësitë dhe të ringrihet pas çdo pengese.
Jennifer Lopez është martuar katër herë. Martesa e saj e parë ishte me Ojani Noa në vitin 1997, por çifti u nda një vit më vonë. Më pas, në vitin 2001, ajo u martua me balerinin Cris Judd, me të cilin u divorcua në vitin 2003.
Në vitin 2004, këngëtarja u martua me Marc Anthony, me të cilin ka dy fëmijë binjakë. Ata i dhanë fund martesës në vitin 2014.
Martesa e saj e katërt ishte me aktorin Ben Affleck. Pas një lidhjeje dhe fejese në fillim të viteve 2000, dyshja u rikthye bashkë gati dy dekada më vonë dhe u martua në vitin 2022. Megjithatë, marrëdhënia nuk zgjati: ndarja u bë publike në vitin 2024, ndërsa divorci u finalizua në vitin 2025.
Lopez ka folur edhe më parë me humor për historinë e saj sentimentale. Në vitin 2025, gjatë një interviste me Howard Stern, ajo foli për marrëdhëniet e kaluara dhe e përshkroi divorcin e fundit si një nga gjërat më të mira që i kishin ndodhur.
