Pas përfundimit të edicionit të Nations League 2026/27, vëmendja e kombëtareve evropiane do të zhvendoset te kualifikueset e Kampionatit Evropian 2028. Shqipëria është mes skuadrave që presin të mësojnë kundërshtarët e tyre në rrugëtimin drejt turneut që do të organizohet në Angli, Skoci, Uells dhe Irlandë.
Shorti për fazën kualifikuese do të hidhet më 6 dhjetor, në Belfast të Irlandës së Veriut, ku do të përcaktohet përbërja e 12 grupeve. Formati parashikon gjashtë grupe me nga katër kombëtare dhe gjashtë të tjera me nga pesë skuadra.
Përpara shortit, ekipet do të ndahen në pesë vazo, sipas renditjes së përcaktuar nga rezultatet në Nations League 2026/27. Katër vazot e para do të përmbajnë nga 12 skuadra, ndërsa në vazon e pestë do të jenë gjashtë kombëtare.
Shqipëria do të jetë pjesë e vazos së tretë, ku bëjnë pjesë edhe përfaqësuese si Ukraina, Polonia, Rumania, Izraeli, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovakia. Kjo do të thotë se kuqezinjtë do të përballen me kundërshtarë nga vazot e tjera, ndërsa numri i ekipeve me të cilat do të luajnë do të varet nga grupi ku do të shortohen.
Si sigurohet pjesëmarrja në Euro 2028?
Rregullat e kualifikimit parashikojnë që 12 fituesit e grupeve të sigurojnë automatikisht një vend në fazën finale. Të drejtën e kualifikimit direkt do ta fitojnë edhe tetë skuadrat e renditura më mirë në vendin e dytë.
Katër biletat e tjera do të përcaktohen përmes fazës së playoff-it, që është planifikuar të zhvillohet në mars të vitit 2028. Në këtë proces do të merren parasysh edhe dy vende të rezervuara për kombëtaret pritëse me renditjen më të mirë, në rast se ato nuk arrijnë të kualifikohen drejtpërdrejt.
Faza kualifikuese do të nisë në mars të vitit 2027 dhe do të përfundojë në nëntor të po atij viti. Ndërsa Evropiani i vitit 2028 do të zhvillohet nga 9 qershori deri më 9 korrik, në katër vendet organizatore.
Për Shqipërinë, shorti i dhjetorit do të jetë hapi i parë për të mësuar rrugën që duhet të përshkojë në përpjekje për të siguruar një tjetër pjesëmarrje në Kampionatin Evropian.
