Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi me 17 muaj burgim shtesë për pengim të drejtësisë.
Përmes një postimi, Cakolli ka theksuar se ky dënim është përcaktuar të vuhet veçmas nga dënimi prej 25 vjetësh në rastin kryesor, duke bërë që dënimi i përgjithshëm, nëse të dy aktgjykimet mbeten në fuqi, të arrijë në 26 vjet e 5 muaj.
Ai ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar nga Thaçi në paraburgim, duke vënë në pikëpyetje faktin se periudha nën urdhërarrestin e dytë nuk është sqaruar në raport me dënimin e ri.
Postimi i Cakollit:
Me aktgjykimin e sotëm, Hashim Thaçit iu shqiptuan edhe 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë. Gjykatësi vendosi që ky dënim të vuhet VEÇMAS nga ai prej 25 vjetësh në rastin kryesor, që do të thotë se, nëse të dy aktgjykimet mbeten në fuqi, dënimi i përgjithshëm për Thaçin do të jetë plot 26 vjet e 5 muaj burgim.
Por, pjesa më problematike ka të bëjë me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim. Që nga 5 dhjetori 2024, Thaçi është subjekt i një urdhërarresti të veçantë pikërisht për rastin e pengimit të drejtësisë. Kjo do të thotë se kanë kaluar mbi 23 muaj nën urdhërarrestin e dytë, ndonëse dënimi i shqiptuar sot është vetëm 17 muaj. Për dy të dënuar të tjerë në këtë rast, u përcaktua shprehimisht se koha e kaluar në paraburgim u llogaritet në dënim, të cilin tashmë e kanë përfunduar. Për Thaçin, ndërkaq, u vendos që dënimi të jetë shtesë, pa sqaruar qartë se si do të llogaritet periudha e kaluar në paraburgim nën urdhërarrestin e dytë.
Vet rregullat e Gjykatës parashohin zbritjen e kohës së kaluar në paraburgim nga dënimi. Ndërsa, gjykatësi duket se ka ndjekur parimin që e njëjta periudhë të llogaritet vetëm një herë, duke ia njohur atë dënimit në rastin kryesor. Por, nëse urdhërarresti i dytë ka pasur fuqi të pavarur për ta mbajtur Thaçin në paraburgim, qysh ka logjikë që koha e kaluar nën të të mos i njihet në dënimin për të njëjtin rast?
