Lajme

Policia heton edhe helmimin e qytetarëve në Han të Elezit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës po vazhdojnë hetimet për rastin e helmimit të dhjetëra qytetarëve në Prishtinë, i cili dyshohet të lidhet me konsumimin e ushqimit në disa pika të një operatori gastronomik.

Analizat laboratorike të mostrave të pacientëve kanë konfirmuar praninë e bakterit Salmonella Enteritidis. Megjithatë, mostrat e ushqimit dhe strishot e marra nga ambienti i operatorit kanë rezultuar negative.

“Lakorja epidemiologjike tregoi një rritje të shpejtë me kulmim më 10 korrik dhe rënie të menjëhershme pastaj, gjë që konfirmon një shpërthim nga një burim i përbashkët me ekspozim të kufizuar në kohë. Mungesa e Salmonellës në mostra në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët. Të dhënat epidemiologjike tregojnë lidhje të fortë me këtë operator”.

Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka zhvilluar kontrolle dhe inspektime për t’i parë kushtet higjieno-sanitare.

“Analizat laboratorike janë në proces. Pas përfundimit të tyre dhe vlerësimit të të gjitha provave të mbledhura gjatë kontrollit zyrtar, AUV do të përpilojë raportin përfundimtar dhe do të njoftojë publikun për rezultatet. Nëse konstatohen shkelje të legjislacionit në fuqi ose rrezik për shëndetin publik, do të ndërmerren pa vonesë masat administrative dhe ligjore ndaj operatorëve përgjegjës”.

Paralelisht me hetimet shëndetësore, për këtë rast, por edhe për rastin e helmimit të 80 personave në Han të Elezit po zhvillohen hetime edhe nga organet e drejtësisë. Policia e Kosovës ka intervistuar pronarin e një lokali në Han të Elezit, pasi dyshohet se disa persona janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në biznesin e tij.

Sipas policisë, rasti lidhet me një ngjarje të 13 korrikut, ndërsa pronari është intervistuar më dje në cilësinë e të dyshuarit.

Me autorizim të prokurorit është iniciuar rasti për veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Të Ngjashme