Policia në Ferizaj ka sekuestruar një armë me gaz dhe disa fishekë gjatë kontrollit në shtëpinë e një 42-vjeçari në fshatin Talinovc i Jerlive, nën dyshimin për posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas Policisë, Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, gjatë hetimit të një rasti të iniciuar ditë më parë, ka siguruar informacione se një person i dyshuar po posedonte në mënyrë të kundërligjshme një armë zjarri.
Lidhur me rastin, më 2 shtator 2026, zyrtarët policorë kanë kontaktuar personin e dyshuar M.M., 42 vjeç, i cili ka pranuar se në shtëpinë e tij në fshatin Talinovc i Jerlive posedonte një armë zjarri.
Njësiti i Hetimeve, në bashkëpunim me Njësitin e Forenzikës, ka realizuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
një armë me gaz;
13 fishekë të armës me gaz;
2 fishekë të armës së shkurtër;
1 fishek i armës së gjatë.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit penal “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
