Lajme

Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Thaçin në rastin e pengimit të drejtësisë

Prokuroria në Gjykatën Speciale ka kërkuar gjashtë vjet burgim ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë së bashku me Isni Kilajn, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Për të akuzuarit e tjerë, prokuroria ka kërkuar nga tre vjet burgim.

Në Gjykatën Speciale po mbahen deklaratat përmbyllëse në rastin për pengim të drejtësisë. Ato do të vazhdojnë edhe të premten dhe të hënën.

Sipas akuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill të 2023 deri më 2 nëntor të 2024-së gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.

Në aktakuzë më tej pretendohet se “Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

Pos Thaçit, aktakuzë është ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët.

Thaçi, Kilaj, Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e Speciales.

Të Ngjashme