Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për dy burrat që dyshohet se e dhunuan 23-vjeçaren me probleme mendore në Pejë

 
   

Dy persona përfunduan në prangat e Policisë së Kosovës gjatë ditës së djeshme, si të dyshuar për rastin e rëndë që dyshohet se ndodhi në Pejë, ku u dhunua një vajzë nga Shqipëria, me probleme mendore.

23-vjeçarja, e cila dyshohet se është keqpërdorur seksualisht fillimisht ishte raportuar e zhdukur, e më pas u zbuluan detajet tronditëse.

Dy të arrestuarit janë Shaban Berisha (babai ish-deputetit të Kuvendit nga radhët e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha) dhe Ismet Gogaj.

Të njëjtit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor është bërë kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë, me ç’rast është bërë e ditur se kanë kërkuar nga Gjykata që ndaj dy të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”.

Lidhur me rastin, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është sekuestruar edhe vetura që dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit për kryerjen e veprës penale dhe po ashtu është siguruar edhe vendi ku dyshohet se ka ndodhur rasti.

Ndryshe, rasti i rëndë u zbulua pasi motra e viktimës erdhi në Kosovë për ta kërkuar atë dhe si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, vajza u gjet në Pejë.

Pasi vajza u gjet, gjendja e saj nuk ishte e mirë dhe e njëjta u dërgua për ekzaminimet e nevojshme, teksa njësitet policore u vënë menjëherë në lëvizje për të zbuluar se kush janë personat e dyshuar.