Dhjetëra mijëra çekë u mblodhën të dielën në Pragë për të protestuar kundër planit të qeverisë për të hequr tarifën e mediave publike dhe për ta kaluar financimin e tyre në buxhetin e shtetit.
Kritikët paralajmërojnë se kjo politikë mund të dëmtojë pavarësinë dhe qëndrueshmërinë financiare të transmetuesve publikë, shkruan Reuters.
Organizatorët thanë se pjesëmarrja në protestën e së dielës e kishte tejkaluar tashmë atë të protestës kundër qeverisë, ku në mars morën pjesë më shumë se 200 mijë persona.
Demonstrata po cilësohet si protesta më e madhe që nga shpallja e pavarësisë së Republikës Çeke në vitin 1993.
Kritikët e kanë krahasuar projektligjin për mediat në Çeki me ndryshimet e ndërmarra në Hungari gjatë kohës së ish-kryeministrit Viktor Orbán, i cili ndërtoi një rrjet të gjerë mediash proqeveritare.
Partitë opozitare dhe grupet qytetare kanë kritikuar gjithashtu qeverinë për përshpejtimin e procedurave të miratimit të projektligjit fillestar, i cili u shqyrtua në mes të natës në muajin tetor. Ata kërkojnë që koalicioni qeverisës ta tërheqë ligjin.
“Një qeveri e zgjedhur ka të drejtë të qeverisë, por nuk ka të drejtë të bëjë çfarë të dojë dhe të shkatërrojë institucionet demokratike”, deklaroi Mikulas Minar, kryetar i organizatës qytetare “Milion Chvilek” (Një Milion Momente), e cila organizoi protestën e së dielës.
Parlamenti miratoi draftin e parë të propozimit në fund të muajit të kaluar. Që atëherë, mijëra qytetarë çekë kanë marrë pjesë në protesta.
Aktualisht, familjet në Çeki paguajnë 205 korona (rreth 9.44 dollarë) në muaj për televizionin publik çek dhe radion publike.
Kryeministri çek Andrej Babiš, i cili u emërua në dhjetor të vitit 2025, është përballur me kritika për qëndrimet dhe veprimet e koalicionit të tij qeverisës ndaj mediave çeke.
