Lajme

Protesta në qytetet e Kosovës kundër aktgjykimit të Speciales

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) organizon sot protesta në qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj, në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Sipas njoftimit të OVL-UÇK-së, protestat në shumicën e qyteteve do të mbahen nga ora 17:00, ndërsa protesta në Prishtinë është paraparë të nisë në orën 21:00, transmeton “Bota sot”.

Organizata u ka bërë thirrje institucioneve komunale dhe qytetarëve që t’u bashkohen protestave, të cilat, sipas saj, zhvillohen në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së dhe vlerave të luftës çlirimtare.

“Ftojmë institucionet komunale dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen këtyre protestave, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës sonë çlirimtare”, thuhet në njoftimin e OVL-UÇK-së.

OVL-UÇK ka theksuar se do të mbështesë protestat që zhvillohen në mënyrë paqësore dhe që nuk cenojnë rendin kushtetues.

“OVL UÇK mbështet dhe do të mbështesë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës sonë çlirimtare, përderisa ato zhvillohen në mënyrë paqësore dhe nuk cenojnë rendin kushtetues”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të këtij organizimi, OVL-UÇK i ka bërë thirrje edhe spektrit politik, shtetëror dhe kombëtar që të veprojë në mënyrë të bashkuar dhe të nisë hartimin e një strategjie kombëtare.

Sipas organizatës, kjo strategji do të synonte të garantonte mbështetje për ish-drejtuesit e UÇK-së deri në përfundimin e procesit të apelit.

Protestat vijnë pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, ndërsa çështja pritet të vijojë në fazën e apelit.

Të Ngjashme