Protesta kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës ka hyrë sot në ditën e tetëmbëdhjetë.
Në kryeqytet, qytetarë dhe aktivistë nga shoqëria civile vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës, Sali Berisha, ndërsa kanë parashtruar dhe katër kërkesa të tjera.
Ata po ashtu shprehen kundër shitjes së pasurive kombëtare.
Protesta nisi në orën 19:00, ndryshe nga më herët kur orari i mbledhjes ishte 18:00.
Ndryshimi i orarit u mor si vendim për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbledhur përpara Kryeministrisë.
Me thirrjet “Revolucion”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëri e re” dhe me pankarta në duar, protestuesit u vendosën para godinës së Kryeministrisë, ku artikuluan edhe një herë tjetër kërkesat e tyre.
“Ne e kemi seriozisht dhe nuk do të ndalemi. Sot ka ndodhur një ngjarje e madhe që vjen nga protesta. Në Parlamentin Europian sot është thënë qartë që ligji për zonat e mbrojtura duhet të amendohet, duhet të kthehet mbrapsht. Kjo është kërkesa që ne kemi bërë që prej ditës së parë”, tha një protestues.
Një nga risitë e protestës sot ishte mbajtja e fjalimeve nga të moshuarit.
“Në familjen e gjithsecilit prej nesh nuk ka një gjysh që mund të jetojë me dinjitet vetëm me pensionin e tij, është i varur nga fëmijët e tij në mërgim. Sot ka qenë një thirrje shumë e bukur nga të rinjtë: merr gjyshin në protestë. Nëse gjyshi nuk vjen dot, protesto për gjyshin!”, tha një tjetër protestuese.
“Duhet t’u dëgjohet fjala edhe pensionistëve. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë pensione shumë më të larta se ne. Si shpjegohet që në Shqipëri pensionet janë më të ulëta?”, tha një pensionist.
Një tjetër protestuese u shpreh se sot PE kërkoi moratorium të menjëhershëm për ligjin e zonave të mbrojtura në Shqipëri.
“PE kërkon që qeveria shqiptare të pezullojë të gjitha lejet e ndërtimit në zonat e mbrojtura”, tha ajo.
Ashtu si në protestat e mëparshme, edhe këtë mbrëmje pritet që pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë, protestuesit të zhvillojnë një marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet dhe kërkesat e tyre.
