Lajme

Pse populli ynë i përsërit gabimet historike?

Kur zbërthejmë anatominë e rrënimit shoqëror dhe politik në trojet tona, pyetja më e dhimbshme që shtrohet është ajo mbi shkaqet e brendshme psikologjike dhe historike: Pse populli ynë, pas aq shumë shekujsh vuajtjeje, bie sërish në të njëjtat gracka? Pse ripërtëriten instinktet “haxhiqamiliste” të rebelimit analfabet kundër traditës sonë perëndimore dhe pse ky popull bëhet aq shpesh armik i vetvetes, duke u strukur në pluhurin e harresës otomane?

Për të kuptuar këtë gjendje, duhet ta jetësojmë parimin e madh „Njih veten!“ jo vetëm te individi, por te mbarë shpirti kolektiv shqiptar. Diagnoza e kësaj amnezie dhe prapambetjeje mbështetet mbi katër shtylla kryesore psikologjike dhe filozofike:

Kompleksi i skllavit të llastuar dhe Sindroma e Stokholmit

Nga pikëpamja psikologjike, pesë shekuj nën pushtimin otoman lanë pas një traumë të thellë transgjeneracionale: tjetërsimin e vetëdijes. Kur një popull mbahet për një kohë të gjatë në errësirë, pa arsim laik, pa shkencë dhe nën dhunën e dogmave të ideologjisë islamike, tek ai zhvillohet ajo që në psikologji njihet si Sindroma e Stokholmit — identifikimi me xhelatin, me pushtuesin.

“Haxhiqamilizmi” nuk ishte thjesht një lëvizje politike e vitit 1914; ajo është një kod psikologjik i prapambetjes dhe primitivizmit.

Ky është instinkti i skllavit që ka frikë nga liria e vërtetë, nga përgjegjësia për t’u bërë zot i vetvetes. Ky lloj mentaliteti e sheh shtetin modern, laicitetin, shkencën dhe emancipimin evropian si “të huaja” dhe “të rrezikshme”, sepse ato kërkojnë mendim kritik dhe punë aktive. Prandaj, sa herë që populli ynë i Kosovës dhe mbarë populli shqiptar përballet me sfidat e lirisë, një pjesë e tij ikën me vrap drejt rehatisë së rreme të dogmave ideologjike islamike të ish-pushtuesit, duke preferuar pluhurin e zymtë të Lindjes përpara dritës sfiduese të Perëndimit.

Kriza e karakterit dhe Mungesa e busullës morale

Siç dihet, aty ku mungon e vërteta, triumfon gënjeshtra, hipokrizia dhe maskat politike. Popullit tonë sot i mungon një bërthamë e fortë morale e konsoliduar. Tranzicioni i gjatë, i udhëhequr nga politikanë narcisistë dhe të vetëdashuruar, ka krijuar një shoqëri pa busull.

Kur pushtetarët dëbojnë njerëzit e urtë e vizionarë dhe rrethohen vetëm me servilë, populli fillon të imitojë këtë sjellje. Mungesa e meritokracisë e bën masën të besojë se rruga drejt suksesit nuk kalon nga dituria dhe veprat e mira, por nga nënshtrimi, thashethemet apo përgojimet dhe koketimi me axhendat radikale islamike. Në këtë vakum moral, helmi ideologjik islamik zë vend me shumë lehtësi. Populli bëhet frikacak, i pavendosur dhe lëkundës — pikërisht si njerëzit e pavendosur të Gëtes, të cilët luhaten mes opsioneve dhe lejojnë që rrethanat e jashtme apo manipulimet fetaro-politike t’u përcaktojnë drejtimin.

Injoranca si truall i plleshëm për infiltrimin ideologjik

Aty ku mungon dituria, mbretëron mashtrimi. Arsyeja pse njerëzit frekuentojnë mendësitë regresive dhe xhamitë politike të stilit otoman që financohen për të zhbërë laicitetin, qëndron te analfabetizmi funksional dhe kulturor.

Kur një shoqëri nuk e njeh trashëgiminë e Pal Engjëllit, të Pjetër Bogdanit, të Gjergj Fishtës apo vizionin europian të Ibrahim Rugovës, ajo mbetet pa mbrojtje intelektuale. Injoranca e kthen popullin në një masë të paaftë për të bërë një ekzaminim kritik të forcave dhe pasojave. Njerëzit gënjehen nga “temjani i rremë” i predikuesve radikalë islamik dhe nga premtimet e politikanëve hipokritë, pa e kuptuar se duke pranuar këto dogma helmuese, ata po presin degën e pemës mbi të cilën qëndrojnë. Ata kthehen në armiq të vetvetes sepse luftojnë kundër rrënjëve kombëtare, identitetit europian, laicitetit dhe institucioneve të lira — pikërisht kundër atyre shtyllave që garantojnë mbijetesën dhe dinjitetit tonë si komb.

Tradhtia ndaj Urës së Gjergj Kastriotit dhe izolimi nga familja Europiane

Gjergj Kastrioti nuk na la thjesht një kujtim historik; ai na ndërtoi urën dhe vendin tonë të sigurt në qytetërimin europian. Europa është trualli natyror i shpirtit arbnor, është pema e përbashkët ku ne kemi degët tona më antike.

Megjithatë, për të qenë pjesë e gjallë e kësaj familjeje të civilizuar, njeriu duhet të jetë i denjë, duhet të ketë një ndërgjegje të pastër dhe të udhëhiqet nga arsyeja, shkenca dhe shteti i së drejtës. Kur populli ynë lejon që pushtetarët të dhjamosen moralisht në kolltukët e tyre dhe të bëjnë pazar med substancën tonë kombëtare, ai është duke tradhtuar këtë amanet. Izolimi aktual dhe gjendja e mjerë vijnë pikërisht nga kjo shkëputje: ne kemi mbetur të bllokuar në mes të rrugës, sepse një pjesë e jona vazhdon të shikojë prapa drejt Lindjes, duke refuzuar të ecë përpara me guxim dhe integritet mbi urën e Kastriotit.

Për një Rilindje të ndërgjegjes kombëtare

Populli ynë është në këtë gjendje sepse ende nuk ka guxuar të zbatojë me plotëni parimin: „Njih veten!“ Të njohësh veten do të thotë të zgjohesh nga gjumi i harresës otomane, të flakësh helmin e dogmave fetaro-politike dhe të refuzosh klasën e politikanëve oportunistë që e duan popullin të paditur për ta qeverisur më gjatë.

Rruga drejt shpëtimit kërkon një rilindje të ndërgjegjes kombëtare e shpirtërore, e cila në thelb nuk është gjë tjetër veçse rikthimi dhe rilindja e rrënjëve tona kombëtare europiane.

Ndërkaq, rinia intelektuale, institucionet akademike dhe shoqëria civile duhet të marrin rolin e gardianëve të arsyes. Duhet t’i kthejmë arsimit laicitetin e plotë, duhet të pastrojmë institucionet nga servilët dhe duhet të kuptojmë se liria dhe dinjiteti nuk falen, por fitohen me vepra të ndershme. Vetëm kur ta njohim veten si trashëgimtarë të pastër të Gjergj Kastriotit e Pjetër Bogdanit dhe të sillemi me vetërespekt të lartë, ne do të bëhemi zot të vetes sonë dhe do të zëmë vendin tonë të merituar e të përhershëm si një degë e fuqishme dhe e gjallë në pemën e përbashkët të qytetërimit europian. 

Të Ngjashme