Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka zhvilluar sot një takim me Kryetarin e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi, në fokus të të cilit ishte zbatimi i rregullores për bartshmërinë e numrave telefonikë dhe koordinimi ndërinstitucional.
Në takim mori pjesë edhe prokurori përgjegjës për Njësinë Ndërlidhëse të Përgjimeve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani, si dhe përfaqësues të ARKEP-it.
Palët diskutuan mbi ecurinë e zbatimit të Rregullores për bartshmërinë e numrave për përdoruesit e shërbimeve publike të komunikimeve elektronike, obligimet që burojnë nga ky proces, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët institucional.
Sipas njoftimit, në fund të takimit Qalaj dhe Rahimi u pajtuan për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me synim rritjen e efikasitetit në zbatimin e përgjegjësive ligjore dhe mbrojtjen e interesit publik.
