Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qetësohet situata në Francë

Trazirat në mbarë Francën, që u nxitën pas vrasjes së një 17-vjeçari, janë qetësuar në natën e gjashtë. Por, ndërtesat publike, makinat dhe koshat e plehrave kanë qenë cak i zjarrvënieve dhe vandalizmit gjatë natës.

Ministria e Brendshme franceze tha se gjatë natës janë arrestuar 157 persona. Që nga 27 qershori, kur nisën trazirat, në Francë janë arrestuar 3.354 persona, teksa janë sulmuar edhe dy stacione policore.

Afër 45.000 oficerë u dislokuan në mbarë vendin ku janë mbajtur protesta kundër diskriminimit ndaj personave që kanë prejardhje nga ish-kolonitë franceze dhe që jetojnë në lagjet me të ardhura të ulëta. Nahel, adoleshenti që u vra të martën e kaluar, ishte me prejardhje algjeriane. Ai u vra nga një polic në Nanterre, në periferi të Parisit.

Në mbarë Francën, 297 makina janë djegur gjatë natës, ndërkaq zjarrvënie ka pasur edhe në 34 ndërtesa.

Një zjarrfikës 24 vjeç vdiq pas një sulmi në zemër, teksa po punonte në shuarjen e zjarrit në një garazhë nëntokësore, tha policia në Paris. Shkaku i zjarrit në këtë ndërtesë banimi po hetohet, thanë autoritetet, shkruan REL.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka fajësuar rrjetet sociale për përhapjen e trazirave dhe u ka bërë thirrje prindërve që të jenë përgjegjës për fëmijët e tyre adoleshentë.

Ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti, tha për një radio franceze se prindërit që heqin dorë nga kjo përgjegjësi “ose për shkak të mosinteresimit ose qëllimisht” do të ndiqen penalisht.

Nahel, 17 vjeç, u vra gjatë një kontrolli në trafik. Familjarët e tij kanë bërë thirrje që të ndalen trazirat.

Tags: