Lajme

Qirezi: Mungesat në shkolla dhe mësimdhënia kërkojnë analiza më të thella

Ekspertja e arsimit, Bardha Qirezi, ka thënë se rezultatet e Kosovës në PISA duhet të analizohen më thellë, veçanërisht sa i përket mungesave të nxënësve, përdorimit të teknologjisë dhe cilësisë së mësimdhënies.

Duke folur në emisionin e “Pasdite” në RTK, Qirezi tha se vetëm 20 për qind e 15-vjeçarëve në Kosovë kanë ndjekur rregullisht shkollën, pa vonesa dhe mungesa.

“Ne të gjithë e kemi ditur edhe ka qenë alarmuese edhe sivjet numri i mungesave në shkolla, edhe askush nuk është marrë me këtë”, tha Qirezi.

Sipas saj, mungesat lidhen drejtpërdrejt me ndjekjen e rregullt të mësimit, ndërsa kërkoi raportim më të saktë dhe analizim të arsyeve pse nxënësit mungojnë.

“Duhet të ndryshohet mënyra e raportimit të mungesave, përcjellja e rregullt e mësimit”, tha ajo.

Qirezi foli edhe për përdorimin e mjeteve digjitale, duke thënë se ato nuk japin gjithmonë rezultate pozitive.

“Në Kosovë ka ndikuar mirë në shkencë, në disa raste te ngritja e kompetencës ose e rezultateve në shkencë, mirëpo nëse është përdorur më shumë, nëse për shembull e kanë përdorur më pak, po në mënyrë më të thelluar, ajo ka ngritur rezultatin te fëmijët. Mirëpo nëse është përdorur shpesh, e ka zvogëluar atë”, tha Qirezi.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e investimit në mësimdhënës dhe të hartimit të politikave arsimore bazuar në rezultate.

“Gjithkund është dëshmuar që nëse investon në mësimdhënës, ti ke investuar në sistemin arsimor”, u shpreh Qirezi.

Sipas saj, duhet të analizohet edhe mospërputhja mes notave të nxënësve dhe rezultateve në testet e arritshmërisë apo testet e maturës.

Të Ngjashme