Kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ragmi Mustafi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar mbi vizistën e kongresistëve amerikanë në Luginën e Preshevës.
Ai tha se vizita e kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Preshevë është shumë e rëndësishme për shqiptarët e Luginës, sidomos në kohën kur po raportohen shkelje të të drejtave të tyre në Serbi.
Ai theksoi se Keith Self është sponsorizues i projektligjit H.R. 6411 për diskriminimin ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, i cili kërkon raportim zyrtar nga SHBA për problemet si pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional, mungesa e përfaqësimit dhe pengesat në arsim e përdorimin e gjuhës shqipe.
Sipas Mustafit, vizita do ta ndihmojë delegacionin amerikan ta shohë nga afër realitetin e shqiptarëve atje.
“Vizita e kongresistëve amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam në Preshevë vjen në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm politik dhe institucional për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Sidomos tani, kur edhe raportet dhe mekanizmat ndërkombëtarë po flasin hapur për përkeqësim të situatës së të drejtave të njeriut, degradim të hapësirës demokratike dhe dobësim të institucioneve që duhet të mbrojnë qytetarët në Serbi.
Kjo vizitë merr peshë edhe më të madhe për faktin se kongresisti Keith Self është sponsorizues i projektligjit H.R. 6411, i njohur si “Akti për Vlerësimin e Diskriminimit në Luginën e Preshevës”, një dokument shumë i rëndësishëm politik dhe institucional për shqiptarët e Luginës. Për herë të parë, çështja e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës është trajtuar drejtpërdrejt në Kongresin e SHBA-së dhe është proceduar në Komisionin për Punë të Jashtme pa asnjë votë kundër.

Ragmi Mustafi
Ky projektligj kërkon nga Sekretari amerikan i Shtetit një raport të detajuar mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë tek shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në të përmenden qartë shqetësimet kryesore që shqiptarët i kanë ngritur prej vitesh: pasivizimi i adresave, diskriminimi institucional, mungesa e përfaqësimit proporcional në institucionet shtetërore, mosnjohja e diplomave të Kosovës, pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe, problemet me tekstet shkollore, diskriminimi ekonomik dhe presioni i vazhdueshëm institucional ndaj shqiptarëve.
Prandaj, është shumë e rëndësishme që vetë sponsorizuesi i këtij projektligji tani do ta shohë dhe prekë nga afër realitetin me të cilin përballen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo e bën vizitën shumë më domethënëse dhe me ndikim potencial edhe më të madh ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Tutje, Mustafi vlerëson se vizita e kongresistëve amerikanë është një sinjal se çështja e shqiptarëve të Luginës mbetet pjesë e agjendës së partnerëve strategjikë të rajonit dhe se kjo duhet të shfrytëzohet për të intensifikuar përpjekjet politike e diplomatike në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Presim që kjo vizitë të shërbejë për njohje më të drejtpërdrejtë të gjendjes në terren dhe që zëri i shqiptarëve të Luginës të dëgjohet edhe më fuqishëm në institucionet amerikane dhe ndërkombëtare.
Natyrisht, çdo vizitë e këtij niveli rrit vëmendjen ndërkombëtare dhe krijon presion shtesë ndaj institucioneve në Serbi për të reflektuar lidhur me trajtimin e shqiptarëve dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Sidomos tani, kur edhe raportet ndërkombëtare flasin qartë për përshkallëzim të situatës demokratike dhe dobësim të institucioneve që duhet të mbrojnë qytetarët.
Pres që kjo vizitë të ndikojë në rritjen e presionit politik dhe diplomatik ndërkombëtar ndaj Serbisë për të trajtuar seriozisht çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për të kaluar nga deklaratat formale tek veprimet konkrete në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive të shqiptarëve” – deklaroi ai për gazetën.
